Konsumi global i barnave kundër depresionit është rritur në mënyrë drastike në dy dekadat e fundit, dhe europianët janë shpallur konsumatorët më të mëdhenj, sipas të dhënave nga OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik). Rritja më e madhe e përdorimit të antidepresantëve u pa në Islandë, Portugali dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa përdorimi më i vogël u pa në Lituani, Hungari dhe Letoni.
Por, a ka ndonjë lidhje midis lumturisë dhe përdorimit të anti-depresantëve? Përgjigja është jo.
Të dhënat për vendet evropiane nuk sugjerojnë se sa më të lumtur të jenë njerëzit, aq më pak konsumojnë ilaçe kundër depresionit. Islanda, e cila ishte vendi i dytë më i lumtur në botë në vitin 2020 sipas Raportit Botëror të Lumturisë, ka konsumin më të lartë të antidepresantëve në Evropë. Suedia, e cila u rendit e gjashta në Raportin e Lumturisë, ka përdorimin e katërt më të lartë të antidepresantëve. Finlandezët, të cilët ishin kombi më i lumtur sipas raportit, u renditën në vendin e 7-të për përdorimin e anti-depresantëve.