Edhe pse ishin legjitimuar, qytetarët e grumbulluar i kanë sulmuar policët, të cilët gjendeshin në veturë dhe ato janë dërguar në spital për t’ju dhënë ndihmë mjekësore, ndërsa njëri nga të sulmuarit është në gjendje kritike
Shkup, 28 janar – Tre të rrahur, nga të cilët dy policë shqiptarë është epilogu i një përleshje që ka ndodhur sonte në lagjen Shuto Orizarë të Shkupit, raporton Koha.
Rreth orës 17 e 20 minuta në rrugën “Indira Gandi” në Shuto Orizarë një vajzë e mitur kushtimisht ka parë se persona të panjohur me forcë kanë futur një femër tjetër në një furgon, por nuk ka ditur se për kë bëhet fjalë. Ajo këtë ngjarje ia ka rrëfyer një personi të moshuar, i cili ka paraqitur rastin në polici. Më pas është mbledhur një grup më i madh i qytetarëve dhe në atë moment kanë hasur në një veturë në të cilën kanë qenë 3 persona, nga të cilët dy zyrtarë policor shqiptarë nga Stacioni Policor i Çairit, të cilët nuk kanë qenë në detyrë, por që janë legjitimuar si policë, informon koha.mk.
Megjithatë, edhe pse ishin legjitimuar, qytetarët e grumbulluar i kanë sulmuar policët, të cilët gjendeshin në veturë dhe ato janë dërguar në spital për t’ju dhënë ndihmë mjekësore, ndërsa njëri nga të sulmuarit është në gjendje kritike.
Deri në këto momente nuk është paraqitur nga asnjë familje se është zhdukur ndonjë vajzë. Nga policia bëjnë të ditur se po punohet në zardhjen e këtij rasti. (koha.mk)