Nga 71 deputetë që aktualisht mbështesin ndryshimet kushtetuese, pushteti shpreson edhe në gjashtë deputetët e pakicave brenda VMRO-së për të çuar numrin në 77 deputetë. Por nga VMRO duhet siguruar edhe katër deputetë tjerë që të sigurohet shumica prej 2/3, aq sa duhen sipas rregullores së Parlamentit për të votuar ndryshimet kushtetuese
Fatos RUSHITI
Shkup, 5 tetor – VMRO dhe LSDM kanë betonizuar qëndrimet partiake së fundit gjatë mbledhjeve të Kryesive qindore në lidhje me zgjidhjen e ngërçit politik pas mbajtjes së referendumit më 30 shtator. Por, për dallim nga partia në pushtet, që është unike në kërkesën e saj për implementimin e Marrëveshjes për emrin në Parlament, tek VMRO opozitare ka pasur përplasje në Kryesinë qendrore me çka ka rezultuar me shkarkimin nga funksioni të sekretarit të përgjithshëm, Stefan Bogoevski, shkruan gazeta KOHA. Ndryshe, në Parlament pritet të ketë një betejë të ashpër politike mes pushtetit dhe opozitës. Siç po shkojnë rrjedhat politike, së pari do të shikohet opsioni që të binden deputetët e VMRO-së që të marrin pjesë në seancë plenare dhe përmes votimit të fshehtë të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese. Në këtë pikë, kuluareve politike flitet që të paktën 10 deputetë të shquhen për lojalitet ndaj “të fortit” të VMRO-së, Sasho Mihajkov, e të cilët mendohet se do të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese si kompensim për amnisti nga akuzat e Prokurorisë Speciale në lidhje me aferën e përgjimeve. Një opsion tjetër që së fundmi nga opinionistët përmendet është edhe Qeveria teknike përmes një pajtimi kombëtar.
Me këtë rast, marrëveshja politike do të mund të ndodh jo vetëm ndërmjet dy kampeve politike maqedonase që prej kohës janë thellësisht të përçarë, por do të ketë edhe një marrëveshje me subjektet politike shqiptare me pikë kryesore që gjuha shqipe të përmendet decidivisht në Kushtetutë dhe të mos lidhet me 20 përqindëshin deri më tani. Kjo, pasi shqiptarët do të përkrahin në mënyrë unanime mbrojtjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase përmes votimit të ndryshimeve kushtetuese. Ky opsion vështirë se mund të ndodh për faktin se do të merr kohë dhe afatet nuk premtojnë për të kryer obligimet për anëtarësim në NATO. Opsioni i tretë është ai i zgjedhjeve të parakohshme në rast së nuk arrihet shumica e kualifikuar prej dy tretave të votave. Nëse ndodh kjo, me gjasë do të ketë burgime të ish-strukturë së lartë të VMRO-së, përfshirë dhe vetë Nikolla Gruevskin. LSDM në këtë variant do të paraqes VMRO-në si mbrojtës të krimit dhe korrupsioni dhe me shpresën se do të merrte vota në kampin shqiptar apo do të lidh koalicion parazgjedhor me BDI-në pa mos përjashtuar as partitë tjera shqiptare, të arrijë numrin prej 81 deputetësh apo të paktën të afrohet dhe që VMRO të jetë më pas në një pozicion nënshtrues dhe e pafuqishme ti rezistojë ndryshimeve kushtetuese. Por në këtë drejtim, pikërisht BDI është skeptike se do të mund të arrihet deri tek numri 81, edhe për faktin se VMRO – duke përdorur kartën nacionaliste, mund të dalë mirë në zgjedhje tek elektorati maqedonas. Deputetë të BDI-së thonë se opsioni më i mirë është votimi në Parlament i ndryshimeve kushtetuese përmes përkrahjes së deputetëve nga VMRO.
Kur jemi tek numrat, LSDM me 34 deputetë, plus dhjetë deputetët të BDI-së, një i RDK-së, grupi i Afrim Gashit nga Lëvizja BESA me tre deputetë, PDSH me Menduh Thaçin dhe Merale Uzeiri-Ferati, Partia e Ripërtrirjes së Maqedonisë me dy, Partia e Lëvizjes së Turqve një, Partia e Pensionistëve dhe Qytetarëve të Bashkuar një, dy nga Partia e Re Socialdemokrate, një nga Partia për Emancipimin e Plotë të Romëve, tre nga Partia Liberale Demokrate, katër të pavarur, një nga Partia e Ardhmërisë Evropiane dhe një nga Partia Serbe, pra gjithsej 65 deputetë.
Ndërkaq, mbështetje për ndryshimet kushtetuese shumica pritet të ketë edhe nga dy deputetët e Lëvizjes BESA – Fadil Zendeli dhe Teuta Biladhi, si dhe dy deputetët e Aleancës për Shqiptarët, nga Pançe Minov i dhe Amdi Bajrami që dolën nga koalicioni me VMRO-në, gjë që numri shkon në 72 deputetë. Por, një nga deputetët që po lëkundet e që është pjesë e pushtetit është vota e akademikut Ferid Muhiq, meqë ky i fundit vazhdon të shprehet kundër Marrëveshjes për ndryshimin e emrit të shtetit me Greqinë. Prandaj, të sigurt janë vetëm 71 deputetë. Megjithatë shumica shpreson në përkrahje edhe të tre deputetëve të Partisë Socialiste – Vlladanka Aviroviq, Lupço Dimovski dhe Stojan Milanov, të deputetit nga Partia Demokratike e Serbëve në Maqedoni, Ivan Stoilkoviq, të deputetit nga Partia demokratike e turqve, Jusuf Hasanin dhe të deputetit nga Shoqata për Bashkimin Kulturor të Boshnjakëve, Zeqir Ramçilloviq. Me gjithë këto, numri shkon në 77 deputetë. Nëse këta të fundit do të dakordohen, duhet siguruar edhe katër deputetë që të arrihet shumica prej 2/3 sa duhen sipas rregullores së Parlamentit për të votuar ndryshimet kushtetuese. Mbetet të shihet nëse ndonjëri nga deputetët e VMRO-së që dalin kundër qëndrimit partiak dhe të votojnë për ndryshimet kushtetuese, qoftë përmes ndonjë pazari të lart politik, apo formave tjera jo të mira që në politikë edhe mund të përdoren në momente të caktuar. Ndryshe, kryeministri Zoran Zaev ka përmendur datën 10 tetor kur duhet të dilet me qëndrim përfundimtar nëse ka arritur marrëveshje me deputetët e opozitës apo do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për kryeministrin Zaev, kërkesat e VMRO-së për Qeveri teknike, sipas modelit të Marrëveshje së Përzhinos me mandat 100 ditor, prokuror të ri publik dhe Komisione anketues në Parlament, janë plotësisht të papranueshme. Kjo, sipas asaj, që deklaroi të enjten gjatë një konference për media. “As nuk ka arsye, as ka nevojë që të diskutohet për këso çështje. Vetë institucionet dhanë komente të tyre. Që të kërkohet Komision, i cili do të kontrollojë nëse referendumi ka qenë i ligjshëm, a ka pasur ligjshmëri në zbatimin e saj dhe ngjashëm në kushtet, a ka pasur ligjshmëri në zbatimin e tij dhe ngjashëm në kushte kur kryetari i KSHZ-së është nga VMRO, por edhe Gjykata Administrative në të cilën nuk është ëndërruar asnjë anëtar, vetë tregon se çfarë dëshiron me këto kërkesa”, deklaroi Zaev. Ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të diskutojë me deputetët në Parlament, por ashtu siç shtoi, në një atmosferë, më të mirë, më normale dhe më përgjegjëse. “Besoj se do të kemi ndonjë rezultat deri në fund të javës ose në fillim të javës tjetër. Diku rreth 10 tetorit do t’i tregojmë opinionit se cilat janë hapat e mëtutjeshëm. Shpresoj se do të kemi mundësi të kumtojmë se është siguruar shumica e nevojshme apo 2/3 e deputetëve”, theksoi Zaev. Ndërkaq, ish-sekretari i përgjithshëm i VMRO-së, Petar Bogojevski, gjatë komentimit për shkarkimin që i bëri Komiteti Ekzekutiv, ndër të tjerash foli për skenarë të errëta të VMRO-së për të destabilizuar situatën politike në vend. “Thjesht të papajtueshme janë dy konceptet tona, njëri për demokratizim, modernizim dhe evropianizim, ndërsa tjetri për klientelizëm, kriminalizim dhe karrierizëm autoritar në VMRO-DPMNE. Është e pamundur të dy të funksionojnë së bashku, ndërkaq me këtë rast – të avancohet puna e partisë në baza parimore”, thekson Petar Bogojevski në statusin e tij në Fejsbuk.
Sipas tij, VMRO në këtë moment tërësisht është në anë të gabuar të historisë, u nis, siç thekson Bogoevski, në drejtim tërësisht të gabuar dhe nuk është e mundur së bashku në trenin e njëjtë në drejtim të njëjtë. (koha.mk)