Fatos RUSHITI
Shkup, 23 dhjetor – Kriza politike në Maqedoni si duket nuk po merr zgjidhjen e duhur edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme më 11 dhjetor, shkruan gazeta KOHA. Përsëritja e votimeve në një vendvotim të Komunës së Tearcës ka shtyrë konstituimin e Parlamentit të ri, duke komplikuar në një masë edhe formimin e Qeverisë së re. Lufta politike mes VMRO-së dhe LSDM-së është zhvendosur në Tearcë, pikërisht njëra për të ruajtur mandatin e 51-të, kurse tjetra për ta fituar një deputetë më shumë. Minimum 300 vota duhet të jetë dallimi mes LSDM-së dhe VMRO-së, që partia e Zaevit të barazohet me deputetë me partinë Greuvskit. Ndonëse VMRO ka paralajmëruar se nuk do të marr pjesë në rivotim në Tearcë, informatat nga terreni thonë se aktivistë të kësaj partie janë aktiv dhe të interesuar të ruajnë primatin e partisë së parë sa i përket mandateve të fituara. Por në këtë mes janë me rëndësi votat e qytetarëve shqiptar se kah do të anojnë dhe praktikisht partitë politike shqiptare kah do ta orientojnë elektoratin e vet dhe nëse do të dalin qytetarët shqiptarë të votojnë. Pas votimit të dielën në Tearcë e deri në konsolidimin e pushtetit, në lojë janë tre skenarë në lidhje me atë se kush me kë do të formojë Qeverinë. Në variantin e parë, përcjell KOHA, nëse LSDM nuk e tejkalon me minimum 300 vota VMRO-në, atëherë kësaj të fundit do t’i takojë dhe mandati i parë për të krijuar shumicë parlamentare prej minimum 61 deputetësh, aq sa duhen për t’u zgjedhur Qeveria e re. Megjithatë, VMRO-së që të krijojë Qeveri të re i duhen 10 mandatet e BDI-së, me të cilën ka qenë 8 vite në bashkëqeverisje. Në të kundërtën, nëse VMRO humb 1 mandat, asaj nuk i bëjnë punë as dhjetë votat e BDI në Parlament, por duhet të gjurmojë vota tek partitë tjera shqiptare BESA, Aleanca për shqiptarët dhe PDSH, por të cilat deri më tani mbajnë një qëndrim të fortë ndaj politikave të VMRO-së, ndërsa një koalicion i përbashkët do të vinte në shprehje vetëm nëse VMRO lëshon pe për gjëra madhore që prekin interesin shqiptare. Në këtë rast, VMRO do të duhet të zgjedh o të kalojë në opozitë dhe mandatin për Qeverinë ta merr Zoran Zaev, o të lëshojë pe në raport me kërkesat e BDI-së, në veçanti dhe eventualisht kërkesat e partive tjera shqiptare BESA, ASH dhe PDSH. Gazeta KOHA mëson se BDI do të tentojë gjithqysh të merr me vete në pushtet të paktën njërën nga tre partitë tjera shqiptare, kjo për të ruajtur stabilitetin qeveritar, edhe pse nuk mjaftojnë përsëri numrat për të votuar ligje organike që kanë lidhje me kërkesat kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, apo edhe për të kërkuar ndryshime kushtetuese. Jozyrtarisht merret vesh se në VMRO dominon mendimi se kjo parti duhet të vazhdojë të udhëheq me pushtetin, qoftë edhe duke lëshuar pe ndaj kërkesave të BDI-së për kryetar shqiptar të Parlamentit, status të avancuar të gjuhës shqipe, buxhet konsensual dhe afatizim i agjendës politike për të integrim në BE dhe në NATO. Kjo për faktin se në VMRO tashmë është pranuar realiteti se pa partitë shqiptare nuk i kanë votat të zgjedhin Qeverinë. Në varianti e dytë, edhe nëse LSDM barazohet me vota me VMRO pas rivotimit në Tearcë, kjo nuk do të thotë se presidenti Gjorge Ivanov do të caktojë mandatarin nga kjo parti për formimin Qeverisë, ngaqë Presidenti pritet të shikojë në rend të parë interesin e partisë e cila e ka zgjedhur, pra VMRO në këtë rast. Ekspertët kushtetues flasin në prizmin se Presidentin mund ta qesin para aktit të kryer LSDM me BDI- në nëse arrijnë marrëveshje për formimin e Qeverisë menjëherë pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 11 dhjetorit, me çka VMRO praktikisht do t’i pamundësohet të gjejë numra deputetësh në Parlament. Në kuluaret politike qarkullojnë zëra se Aleanca për shqiptarët me tre deputet e saj ka më shumë gjasa që të bashkëqeverisë me BDI-në, qoftë në koalicion me VMRO-në apo me LSDM-në. Ndryshe, në rast të një krizë parlamentare ku asnjëra palë as VMRO e as LSDM nuk mund të formojnë Qeverinë, më se i pritshëm është varianti për qeveri të zgjeruar me kryeministër konsensual, qeverisje kjo e cila do të kishte agjendë të qartë të integrimeve euroatlantike, bërjen e reformave në vend, avancimin e raporteve ndëretnike, si dhe zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë. Ky opsion një kohë të gjatë qarkullon në opinion publik, i mbështetur edhe nga qarqet diplomatike.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.