Shkup, 26 korrik- Kur ka tërmete, veçanërisht kur janë më të fuqishme, siç ishte në Shkup në vitin 2016 (5.3) dhe një seri tërmetesh në Ohër vitin e kaluar (më i fuqishmi 5.0), përgjigjet kërkohen nga Observatori Sizmologjik. Të punësuarit në të atëherë informojnë për magnitudën e matjeve, me vigjilencë i ndjekin dridhjet pas të njohura si aftershok, ndërsa në të njëjtën kohë nën presion të opinionit të shqetësuar japin edhe deklarata për mediat, dhe i qetësojnë dhe këshillojnë.
Kjo zgjat deri në qetësimin përfundimtar të tokës, tërmeti harrohet, si dhe instituti kompetent 24 orë ta vëzhgojë aktivitetin thellë nën sipërfaqe. Ndërsa atë përgjegjësi dhe punë të paparashikuar e bëjnë vetëm tre sizmologë në tërë shtetin, që është një e treta e sizmologëve që kanë punuar këtu para 15 viteve.
Në kërkesë të Fakultetit matematiko-natyror (ku përket Observatori Sizmologjik) të punësohen asistent në tërë fakultetin, nga MASH është marrë përgjigje se për atë nuk ka financa. Nga ana tjetër, për disa vite nuk ka as interesim për regjistrim në drejtimin gjeofizik i cili në FMN ishte hapur në vitin 2002.
Udhëheqësja e Observatorit, sizmologia dr. Dragana Çernih-Anastasovska, thotë se tashmë nuk u vinë as dy të diplomuar nga drejtimi i gjeografisë, të cilët nga nëntori i vitit të kaluar kanë punuar si vullnetarë. Njëri madje çdo ditë ka udhëtuar nga Gostivari.
“Nuk ka gjeofizikantë dhe nëse së shpejti nuk miratohet punësimi, do t’i humbim edhe ata. Jemi tre sizmologë dhe një elektroinxhinier i instrumenteve. Shteti na harroi. Dëshirojmë të punësojmë asistentë, por nuk hapet konkurs. Nuk kemi kë të pranojmë. Nuk është puna të hyjë kush do, sepse së pari duhet ta dojë këtë punë e cila kërkon dashuri dhe përkushtim. Tërmeti nuk është punë prej tetë deri në tre, por punë prej 24 orëve”, thotë për MIA-n dr. Çernih-Anastasovska.
Kolegja e saj, sizmologja dr. Katerina Drogreshka, e cila është nga gjenerata e parë e studimeve të gjeofizikës në FSHNM, tha se kanë regjistruar dhjetë, pesë kanë hequr dorë që gjatë studimeve, ndërsa pesë të tjerët janë punësuar, por jo të gjithë sipas profesionit. Rreth dhjetë vite, thotë ajo, nuk regjistrohen studentë në këtë drejtim.
Pajisjen që e kanë, (sizmometra dhe regjistratorë) është donacion i vitit 2005 nga Sllovakia dhe USAID. Disa instrumente i kanë marrë në pushtetin e kaluar, por, siç thonë, ato janë të pakta dhe nuk janë të kompletuara. Kanë dy regjsitratorë të rinj, por ende në punë eksperimentale sepse nuk kanë sistem-inxhinier. Gjatë periudhës së kaluar kanë blerë serverë, por duhet të ripërtërihen kompjuterët sepse punojnë në të vjetër. Bëhet fjalë për pajisje që duhet të ripërtërihet në disa vite. Softueri vjetërsohet, kështu që versionet e reja GPS janë jokompatibilë dhe nuk funksionojnë.
Vetë observatori – veprimtaria dhe shërbimi sizmologjik, nuk është financuar me buxhet dedikuar për të, por përmes mjeteve nga FSHNM dhe me disa kërkesa intervente drejtuar Ministrisë, që, siç thotë Çernih-Anastasovska, është pikë në det.
“Këtë vit përfundimisht e gjetëm rrugën – mjetet të cilat i nevojiten Observatorit të inkorporohen në buxhetin për vitin e ardhshëm. Nëse do të bëhet kjo – ende nuk e dimë, e dhamë para dy-tre javëve – atë nga FSHNM, përmes Rektoratit shkon në MASH”, e sqaron ajo procedurën rreth buxhetit nga i cili varet edhe funksionimi i tyre themelor.
Observatori sizmologjik është i vendosur në Vodno, më larg mjedisit urban dhe rrugëve. Deri te ajo arrihet nëpërmjet rrugës përpjetë, të ngushtë, të shtrembër dhe të parregulluar. Nuk kanë automjet zyrtar dhe të gjitha obligimet i bëjnë me automjete të veta. Kështu është në të gjitha stinët e vitit, ndërsa ndonjëherë në rrethana të jashtëzakonshme, vijnë edhe natën. Pa pagesë të shpenzimeve rrugore e mirëmbajnë rrjetin sizmologjik në vend. Ka ndodhur të mbeten edhe pa ngrohje gjatë dimrit sepse në kohë nuk është siguruar naftë.
“Para dy-tre vjetëve për shkak procedurave të tenderit vonë arritën paratë. Ishin zgjedhje dhe nuk mundej të shpallin tender, ne këtu, tërë ky objekt, në shkëmb, ishim me tre stufa. Krahas kësaj, edhe instrumentet duhet të funksionojnë. Deri aty u lamë. Mendoj se nuk janë në pyetje mjetet se sa bëhet fjalë për joinforimim të shërbimeve dhe ata që janë përgjegjës për këtë. Observatori sizmologjik është institucion i vetëm kombëtar i cili bënë mbikëqyrje të aktivitetit sizmik në territorin e Republikës së Maqedonisë”, theksoi Çernih-Anastasovska.
Rrjetin telemetrik e përbëjnë pesë stacione për matje: Shkup, Ohër, Vallandovë, Shtip dhe nga viti i kaluar ai në Pehçevë, ku ende do të funksionojnë kompjuterët e dhuruar nga Sllovakia. Vëzhgim sizmik ka edhe në liqenin Kozjak – në digën Kozjak dhe Sveta Petka dhe në një lokacion në fshatin Belicë në pjesën e poshtme të liqenit. Numri i stacioneve të matjes nuk është sipas standardeve në botë, sipas të cilave duhet të sistemohen në çdo 50 kilometra. Në përputhje me madhësinë, Maqedonia duhet t’i ketë 15 stacione.
Çka do të ndodhë nëse ndërpritet puna e Observatorit Sizmologjik? Sipas të paudhëzuarve, thotë dr Çernih-Anastasovska, tërmetin këtu do ta mas Qendra Sizmologjike Evropiane, por ai nuk e mat tërmetin atje ku ka ndodhur, por i pranon në soufter të dhënat e observatorëve kombëtarë dhe ato dalin në internet.
“Kur bëhet fjalë për tërmete në Maqedoni, çdoherë duhet të dëgjohet observatori nacional. Relevante është magnituda të cilën e cakton stacioni amë i tërmetit autokton. Matjet që do t’i tregojnë vendet fqinje nuk janë e dhënë autoktone. Lokacioni automatik i softuerit i nënshtrohet gabimit nga 5-10 për qind dhe nuk përputhet me lokacionin origjinal rreth 30-40, ndonjëherë edhe 50 kilometra”, shton ajo.
Lidhur me vlerat nga matjet, njëra është fuqia, tjetra është intensiteti i tërmetit, ndërsa shpeshherë njerëzit nuk i dallojnë. Fuqia, e cila matet me shkallën e Rihterit, e shënon energjinë e cila lirohet në vatër (hipoqendrën) në brendësinë e tokës. Magnituda caktohet në mënyrë instrumentale nga raportet e sizmogramëve. Intensiteti, madje, që e cakton shkalla makrosizmike evropiane, është manifestimi i asaj energjie të sipërfaqes së tokës ndaj njerëzve dhe objekteve.
Lugina e Shkupit ndodhet në rajon aktiv tektonik i cili karakterizohet me tërmete të fuqishme me periudhë të përsëritjes prej 500 vjetësh. Ka të dhëna për tërmete shkatërruese në Shkup në vitin 518 dhe në vitin 1555, pastaj në vitin 1963. Këtë sizmologët e quajnë periudhë kthimi ose gjasë që të ndodhë tërmet në atë periudhë. Kjo mund të jetë në fillim, në mes ose në fund të periudhës. Për shembull ai nga viti 518 ka qenë në fillim të viteve të 500-ta interval, ndërsa tjetri, në shekullin e 16-të, ka qenë në fund , por midis tyre ka një mijë vite.
Në luginën e Shkupit të gjithë tërmetet janë rezultat i interaksionit tektonik në thellësitë e tokës midis dy blloqeve – Karadaku i Shkupit dhe Vodno. Tendosjet midis dy blloqeve në brendësinë e tokës akumulohen deri në momentin e lëvizjes relative befasuese të blloqeve dhe paraqitjes së tërmetit. Dikur në vend të luginës së Shkupit ka pasur liqen të madh dhe për këtë arsye në thellësi ka shtresa aluvionale. Ato e përforcojnë reagimin e tërmetit dhe bëjnë të jetë edhe më shkatërrues. Për këtë arsye në tërmetin e Shkupit para 55 viteve janë hapur të çara të mëdha.
Tërmeti, thekson dr. Çernih-Anastasovska, nuk mund të parashikohet as në vendet me pajisjet më bashkëkohore. Ndërsa nga ana tjetër, thotë ajo, çka do të ndodh edhe nëse themi se pasnesër do të ketë tërmet.
“E rëndësishme është se si bëhen ndërtimet, a janë aseizmikisht të qëndrueshme, dhe nuk do të prishen gjatë tërmetit. Në Japoni në periudha të shkurtra ka tërmete të fuqishme aq sa ai i Shkupit, ndërsa Tokio i ka 15 milionë banorë. Shohim se si tunden, ndërsa askush nuk ik, shton udhëheqësja e Observatorit.
Gjithashtu i rëndësishëm është edukimi dhe nxitja e interesimit për fizikë nga mosha më e hershme. Nëse do të kishte më shumë gjeofizikantë, të punësuar, thonë këta sizmologë, ata mund të shkojnë nëpër shkolla t’i edukojnë nxënësit, dhe ajo të jetë vazhdimësi, jo vetëm me ndonjë përmbajtje të orëve të gjeografisë ose fizikës.
“Patëm idenë të involvohemi në sistemin e arsimit me ligjëratë një-dy herë në vit, me ardhjen tonë nëpër shkolla, por edhe nxënësit të vijnë këtu. Së pari të njoftohemi me tërmetin si dukuri natyrore dhe mënyrën se si të mbrohemi nga tërmeti, jo vetëm kur të ndodh, por para ndodhjes së tij dhe prejse të përfundojë”, thotë sizmologu Drogreshka.
Kanë edhe prezantime të gatshme për nxënësit e moshave të ndryshme. Ua kanë prezantuar idenë në Qytetin e Shkupit dhe në komuna, por nuk është shprehur interesim. Broshura informative, sipas tyre, nevojiten për tërë popullatën.