Robotët Jasiri, Shijaa dhe Tumaini, kanë zbarkuar në Kenya, në Afrikën Lindore, për të luajtur një rol të rëndësishëm në frenimin e pandemisë së coronavirus-it. Agjencia e lajmeve Reuters, bën me dije se tre robotët e prodhuar në Kinë janë dhuruar nga Japonia dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim. Robotët janë vënë në punë në aeroportin kryesor ndërkombëtar të Nairobit. Prania e tyre e mban aeroportin të dezinfektuar duke monitoruar situatën e virusit. Roboti Jasiri bën xhiro duke spërkatur me avionët e vegjël pastrues përmes kontejnerëve të bashkangjitur në anët e tij.
Jasiri bën gjithashtu fotografi me aparatin fotografik të montuar te qafa e zgjatur teksa skanon qindra pasagjerë në minutë. Sipas Reuters, roboti mat temperaturat e pasagjerëve, regjistron të dhënat e tyre dhe u thotë pasagjerëve që nuk mbajnë maska që t’i vendosin ato dhe gjithashtu, të ruajnë distancimin mes njëri-tjetrit.
“Roli i Jasirit në këtë aeroport është të rrisë sigurinë e udhëtimeve ndërkombëtare”, ka thënë për Reuters, Simon-Peter Njoroge, menaxheri i operacioneve të aeroportit. Ai ka shtuar se “ky është një shembull më shumë se si do të duket e ardhmja e cila po shkon drejt udhëtimeve pa kontakt, drejt automatizimit”. Reuters shkruan se tre robotët po ndihmojnë në frenimin e pandemisë e cila ka vrarë pothuajse 1 mijë e 800 njerëz dhe ka infektuar më shumë se 100 mijë të tjerë në Afrikën Lindore. Nga ana tjetër, robotët po ndihmojnë në kursimin e kohës së pasagjerëve lidhur me formalitetet e mbërritjes.