Gostivar, 3 qershor – Testimet e fundit për zbulimin e rasteve të reja të të infektuarve me koronavirus në rajonin e Gostivarit, rezultuan me tre raste të reja. Personat e zbuluar së fundmi janë në një familje nga fshati Çegran, ku dje u konfirmuan rezultatet pozitive të Kovid-19.
Sipas informacioneve nga Shtabi ndërkomunal i krizës për komunat Gostivar, Vrapçishtë, Mavrovë dhe Rostushë, sot një person është shpallur i shëruar dhe numri i përgjithshëm i rasteve aktive deri tani është 11 (shtatë në Gostivar dhe katër në Vrapçishtë). Pesë janë duke u trajtuar në spital, ndërsa gjashtë janë në shtëpi dhe pa simptoma. Epidemiologët kanë lëshuar vendime dhe rekomanduan vetizolim për rreth njëzet persona. Këta janë kryesisht njerëz që kanë pasur kontakte me çiftin nga fshati Çegran.
Ndërkohë, po bëhen anketa dhe testime, ndërsa ndërtesa e NP Komunalec është dezinfektuar, sipas protokolleve epidemiologjike.
Që nga fillimi i pandemisë, në rajonin e Gostivarit janë kryer 398 testime, ndërsa në tridhjetë raste kanë pasur rezultate pozitive. Si pasojë e Kovid-19 në Gostivar, tre persona vdiqën.