Shkup, 20 tetor – Tre raste të reja me fruth janë regjistruar gjatë javës së kaluar (nga 14 deri në 20 tetor) në Republikën e Maqedonisë, me çka numri i përgjithshëm i të sëmurëve është 17. Kjo thuhet në raportin të cilin sot në ueb faqen e saj e ka publikuar instituti për shëndet publik i Maqedonisë, transmeton Koha.mk. Sa i përket vendbanimit, 10 persona nga personat e prekur nga fruthi jetojnë në vendin tonë, një nga personat e regjistruar është shtetas i huaj (Republika e Kosovës). Një nga rastet e reja të regjistruara gjatë kësaj jave është me vendbanim në Prilep, por me punë të përkohshme në Shkup. Sa i përket moshës të të prekurve nga fruthi, dy nga rastet janë në moshë nën 1 vjet, kur nuk i nënshtrohen vaksinimit të detyrueshëm. Numri më i madh i të sëmurëve (n=7) i përkasin grupmoshës 1-4 vjet, 3 persona janë në moshë mbi 30 vjet, 2 janë në moshë nga 5-9 vjet dhe nga një person bën pjesë në grupmoshat nga 10-14 vjet, 15-19 vjet, 20-29 vjet dhe mbi 30 vjet. Simptomat e rastit të parë të fruthit janë paraqitur në 15.09.2017. Më 25.09.2017, QSHP Shkup raportoi për epidemi të fruthit në territorin e komunës Gazi Babë. Dy nga personat e sëmurë janë vaksinuar me një dozë të MRP (një grua 31 vjeçare dhe një 44 vjeçare të cilat dozën e parë të vaksinës e kanë pranuar në moshën 1 vjeçare), një person ka pranuar dy doza të vaksinës, ndërsa të tjerët nuk janë të detyruar t’i nënshtrohen vaksinimit. 4 nga të sëmurët janë vaksinuar me nga një dozë MRP gjatë fushatës së zbatuar në 23.09.2017, 2-5 ditë para se të sëmuren. Nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara (n=17), 16 janë konfirmuar në laborator. Në klinikën e sëmundjeve infektive dhe gjendjeve afebrile në Shkup janë shtruar 13 nga të sëmurët , një person është shtruar në Klinikën për sëmundjet e fëmijëve. Vetëm tek dy raste janë regjistruar ndërlikime në formë të pneumonisë. Të gjitha rastet e konfirmuara në laborator janë konfirmuar në Laboratorin e virusologjisë dhe diagnostikës molekulare pranë Institutit të shëndetit publik – laboratori referent për fruthin dhe linë, sipas rekomandimeve të OBSH-së. Gjatë kësaj jave ka arritur raport për sëmundje infektive – fruth nga SK Axhibadem Sistina për një fëmijë në moshë 15 muaj – shtetas i huaj (Republika e Kosovës). Prindërit kanë refuzuar t’i merret mostër biologjike për analiza laboratorike të mëtejme, ndërsa fëmija po të njëjtën ditë është kthyer për trajtim në Kosovë. Nuk ka të dhëna nëse fëmija i sëmurë ka qenë i vaksinuar, ose nëse ekziston një lidhje epidemiologjike. Të gjithë kontakteve në Maqedoni u është kontrolluar statusi i vaksinimit.
Vaksinimi me vaksinën MRP
Në periudhën nga 25.09-13.10.2017 në territorin e Republikës së Maqedonisë u vaksinuan gjithsej 8.095 persona me vaksinë MRP, nga të cilët 2.552 me dozë të parë, ndërsa 5.450 me dozë të dytë tek fëmijët e moshave shkollore. Janë zbuluar dhe vaksinuar me dozë të parë 571 persona të pavaksinuar, ndërsa me dozë zë dytë 93 persona. Nga numri i përgjithshëm i personave të vaksinuar me dozën e parë 42,1% janë nga territori i QSHP Shkup. (Koha)