Shkup, 7 janar – Tre partitë shqiptarë – BDI, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA kanë mbështetur dhe i kanë dhënë dritë jeshile Deklaratës nga takimi i 29 dhjetorit në Tiranë me ndërmjetësim të kryeministrit shqiptarë, Edi Rama, shkruan gazeta KOHA. Kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim paralelisht me Aleancën për Shqiptarët dhe BESËN në mbledhjet e sotme kanë miratuar tekstin e Deklaratës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare, ndërsa paraprakisht ishin “urdhëruar” nga ambasada e Shqipërisë në Shkup për kohën kur me komunikata t’u drejtohen mediave. “Pas konsultimeve të bëra me shtetin shqiptar, gjithë kjo me qëllim të prodhimit të një deklarate të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, për të dëshmuar kështu zotimin se shqiptarët janë të gatshëm ta mbështesin një kauzë të përbashkët, Kryesia Qendror e Lëvizjes BESA e ka miratuar këtë Deklaratë të partive shqiptare në Maqedoni. Kjo deklaratë, që është përpiluar nga faktori shqiptar, ndërsa është mbështetur nga partitë shqiptare në Maqedoni, për të cilën asnjëra parti nuk ka merita të veçanta, por të gjitha janë meritore njësoj, shpreh vullnetin e përbashkët që cilado parti, që sot e në të ardhmen mund të jetë pjesëmarrëse në pushtet, të zotohet se në programin qeveritar me cilindo partner maqedonas këto pika do t’i ketë ndër prioritet kryesore, mbi të cilat do të mbështetet një program i tillë bashkëqeverisës. Me këtë rast Lëvizja BESA – si pjesë e koalicionit “Rilindje me BESË”, thekson se kjo deklaratë është në pajtim edhe me platformën RIDEFINIMI dhe programin zgjedhor të BESËS, ndërsa Lëvizja BESA – përveç kësaj deklarate – do të vazhdojë ta afirmojë edhe platformën e saj”, thuhet në komunikatën e BESËS drejtuar mediave. Në ndërkohë, në komunikatën e Aleancës për Shqiptarët, thuhet se “pas debateve dhe analizave të brendshme si dhe konsultimeve me Partitë që e përbëjnë Aleancën për Shqiptarët, miratoi Deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë”. Më poshtë japim Deklaratën e plotë të firmosur sot nga tre partitë politike, e që më 29 dhjetor, ishte publikuar nga gazeta KOHA:
“Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni: “Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”. Duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016; Në frymën e Marrëveshjes të Ohrit, të demokracisë konsensuale dhe nevojës për të përmbushur detyrimet normative që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese; Duke riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të përbashkëta të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë; Të angazhuar për prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë; Të udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për paqe, stabilitet, siguri, bashkëjetesë ndëretnike, në frymën e barazisë dhe dinjitetit, sipas konventave europiane dhe ndërkombëtare, harmoni fetare dhe bashkëpunim në vend dhe rajon; Të përcaktuar, pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe në Bashkimin Europian; Biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues”:
– Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën.
– Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullësi shtet-formuese.
– Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullësinë shqiptare.
– Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.
– Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.
– Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.
– Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal
– Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimmarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.
– Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.
– Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.
– Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjencitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike.
– Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik
– Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, Rekomandimet e Pribese, rekomandimet urgjente te Komisionit Evropian si dhe Rekomandimet nga Dialogu i Larte Paraqases me BE.
– Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike.
– Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.
– Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit
– Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.
– Krijimi i një institucioni qendror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktuesve dhe lektorëve.
– Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat evropiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
– Miratimi i një Rezolute të Përbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se çështjes së emrit.
– Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.
– Marrëdhënie të mira me fqinjët
– Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.
– Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve.
– Hapje e pikave të reja kufitare.
– Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
– Përmbushja e pikave të mësipërme do të zhbllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit të plote në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
– Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.
– Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare.
– Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmendura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.