Nga Qerim LITA
Viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar, autoritetet e atëhershme komuniste maqedonase, nën pretekst se po e luftojnë “nacionalizmin dhe separatizmin shqiptar”, në mënyrë të pamëshirshme iu vërsulën arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare. Burimet e proviniencës partiake e policore maqedonase bëjnë të ditur se midis periudhës 1981-1988 në RS të Maqedonisë u morën masa ideo-politike ndaj 320 mësimdhënësve shqiptarë, ndërsa 150 prej tyre u larguan nga puna. Paralelisht me diferencimin e mësimdhënësve, komunistët maqedonas ndërmorën edhe një sërë masash tjera kundër arsimit shqip si: riemërtimin e shkollave shqipe të cilat mbanin emra të figurave të shquara shqiptare, tërheqjen nga përdorimi i më se 5150 librave dhe publikimeve në gjuhën shqipe, përkatësisht 350 titujve nga bibliotekat shkollore, ndërrimi i plan-programit mësimor, mbyllja e paraleleve në gjuhën shqipe nëpër shkollat e mesme profesionale gjatë vitit shkollor 1987-88, ndërsa një vit më vonë u mbyllën edhe paralelet e gjimnazeve (në përjashtim të një numri simbolik në gjimnazet: Shkup, Tetovë e Dibër) dhe në vend të tyre u hapën të ashtuquajtura “paralele të përziera” ku mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Një situatë e tillë vazhdoi të ngel edhe pas rënies së komunizmit, përkatësisht, zgjedhjeve të para shumëpartiake, të cilat në RS të Maqedonisë u mbajtën gjatë muajve nëntor-dhjetor 1990.
Nisur nga ky fakt, e pamë të arsyeshme lexuesit e gazetës shqiptare KOHA-Shkup, kësaj radhe të njoftohen me përmbajtjen e letrës së hapur, të Këshillit të prindërve shqiptarë në Shkup e të shoqërisë civile të po këtij qyteti, përkatësisht, Lidhjes së punëtorëve të arsimit shqiptar, Lidhjes së arsimtarëve të gjuhës e letërsisë shqipe, Unionit të inteligjencës shqiptare, Forumit për të drejtat e njeriut dhe Shoqatës së gruas shqiptare, dërguar Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe opinionit publik. Letra prej tre faqesh është hartuar në mbledhjen e përbashkët të këtyre subjekteve e cila është mbajtur më 10 tetor 1991 në Shkup. Në të siç do të shihet, kërkohet zbatimi i menjëhershëm i marrëveshjes politike të arritur kohë më parë midis Këshillit të prindërve e deputetëve shqiptar nga njëra anë dhe Kuvendit dhe Qeverisë nga ana tjetër, me të cilën ishte paraparë që në vitin shkollor 1991-92 të hapen 9 paralele të reja me mësim në gjuhën shqipe në katër shkollat e mesme ekzistuese të këtij qyteti.
* * *
“Këshilli i prindërve të nxënësve të cilët këtë vit e kanë mbaruar shkollimin fillor në Shkup e të cilët kërkojnë që shkollimin e mëtutjeshëm ta vazhdojnë në gjuhën e tyre amtare, përkatësisht, në gjuhën mësimore shqipe, në mbledhjen e mbajtur më 10 tetor të vitit 1991, me udhëheqjet e: Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë, Shoqatës së arsimtarëve të gjuhës e letërsisë shqipe, Unioni i inteligjencës shqiptare në Maqedoni, Forumi për të drejtat e njeriut në Shkup dhe Shoqata e gruas shqiptare në Shkup diskutuan për situatën aktuale në lidhje me hapjen e serishme të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe dhe regjistrimin e nxënësve shqiptar në shkollat e mesme në Shkup. Pasi subjektet e lartpërmendura u informuan për të gjitha kontaktet dhe marrëveshjet me organet kompetente nga ana e Këshillit të prindërve e deputetëve të angazhuar për këtë fushë, konstatuan se marrëveshja politike e arritur në Kuvendin dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe nuk zbatohet dhe se ekziston rezistencë e hapur dhe obstruksion ndaj të drejtave Kushtetuese e të dispozitave Ligjore. Subjektet e përmendura vendosën njëzëri të dërgojnë deri te Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë si dhe deri te opinioni publik këtë:
LETËR E HAPUR
Protestojmë ashpër kundër politikës dhe praktikës diskriminuese e cila tashmë me vite zbatohet ndaj nxënësve të cilët shkollimin fillor e kryejnë në gjuhën shqipe e të cilëve nuk u mundësohet, shkollimin e tyre të mëtutjeshme ta vazhdojnë në gjuhën e tyre amtare. Ju përkujtojmë se nga 23 (njëzet e tre) paralele në vitin e parë me mësim në gjuhën shqipe në shkollat e mesme të Shkupit të cilat i pati deri në vitin 1983, sot, me reduktimin e tyre permanent, kemi vetëm tre (3) paralele, në vitin e parë, vetëm në një, edhe atë gjysmë shkollë të mesme.
Për këtë vit shkollor qe arritur marrëveshje të hapen paralelet të cilat qenë mbyllur në kohën e çmendurisë së histerisë antishqiptare. Qe arritur marrëveshje të hapen nëntë (9) paralele në katër shkolla të mesme edhe atë: një në SHMQ “Zef Lush Marku”, tre në SHQ “Pançe Arsovski”, tre në SHQN “Zdravko Cvetkovski” dhe dy në SHQT “Cvetan Dimov”. Nga tërë ajo për të cilën qe arritur marrëveshje deri më sot, është hapur vetëm një paralele në SHMQ “Zef Lush Marku” me mësim të plotë në gjuhën shqipe dhe tre paralele në SHQ “Pançe Arsovski” ku vetëm tre (3) lëndë zhvillohen në gjuhën shqipe. Ndërsa në dy (2) shkollat tjera jepet rezistencë e ashpër si nga Ministria e Arsimit po ashtu edhe nga udhëheqjet e atyre shkollave. Motivet dhe “arsyetimet” se nuk ka hapësira, mundësi kadrovike e materiale të cilat i nënvizojnë ata të cilët nuk e zbatojnë marrëveshjen nuk korrespondojnë me të vërtetën dhe realitetin. Prandaj protestojmë në mënyrë më të ashpër dhe nuk pranojmë pozitë të pabarabartë të nxënësve mbi baza nacionale, nuk pranojmë çfarëdolloj arsyetimi për kufizimet e vendosura në shkollat dhe paralelet me mësim në gjuhën shqipe në vitet 1983-1991. E njoftojmë opinionin dhe organet kompetente se me një përpjekje dhe dëshirë më të vogël mund të sigurohen hapësirat dhe kushtet kadrovike për arsye se në Shkup funksionojnë njëzet e pesë (25) shkolla me hapësirë të pashfrytëzuara plotësisht. Sa i përket faktorit kadrovik kjo nuk paraqet problem, për arsye se ka numër të madh të personave profesional të papunësuar me arsimim të lartë.
Me vendosmëri e refuzojmë diferencimin politik të zbatuar ndaj kuadrit arsimor më kualitativ e më të aftë, nuk pranojmë paralele në të cilat nxënësit janë shqiptar ndërsa mësimi zhvillohet kryesisht në gjuhën mësimore maqedonase. Na habitë sjellja indiferente të inteligjencës përparimtare maqedonase e të opinionit ndaj këtij problemi tonë me vite të tëra. Kërkojmë më së voni deri më 18 tetor të vitit 1991, të zbatohet marrëveshja politike e arritur edhe në SHQN “Zdravko Cvetkovski”, SHQT “Cvetan Dimov” të hapen paralelet për të cilat është arritur marrëveshje, të pranohet kuadri përkatës dhe të zgjidhet ky problem akut. Ndërsa në SHQ “Pançe Arsovski” ku janë hapur tre paralelet të pranohen profesor të cilët mësimin do ta zhvillojnë në gjuhën shqipe. Nuk pajtohemi me qasjen që të hapen paralele ndërsa të mos pranohet kuadër i ri arsimor sepse kjo nënkuptohet ose nuk do të hapen paralele ose mësimi do të zhvillohet në gjuhën maqedonase.
Jemi të bindur se kërkesat e shtruara më lartë janë të realta dhe nuk janë të orientuara kundër interesit të askujt, por përkundrazi, fillimi i përmirësimit të padrejtave edhe në procesin arsimor ndaj shqiptarëve është në dobi të realizimit të proceseve demokratike e humane në Republikën e Maqedonisë, në dobi të politikës së barazisë nacionale, në dobi të stabilitetit dhe bashkëjetesës.
Subjektet e lartpërmendura paralajmërojnë seriozisht se nëse deri në afatin e përmendur nuk zbatohet konkretisht ajo për të cilën është arritur marrëveshje dhe nuk hapen paralelet përkatëse, kjo do të nënkuptonte se nuk është i rastit ai obstruksion, se rol predominues ende kanë forcat të cilat janë kundër barazisë së qytetarëve mbi bazën nacionale dhe me disponim antishqiptar. Në atë rast, pa dëshirën tonë do të jemi të detyruar si prindër dhe si subjekte arsimore, shkencore, kulturore e humane mundësinë ta kërkojmë në vetorganizim me qëllim të hapjes së paraleleve të shkollave të mesme me orientim të gjimnazit mbi programin mësimor të Republikës së Maqedonisë i cili implementohet në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup. Gjithsesi se nuk do të lejojmë që nxënësit e paraqitur për vazhdimin e shkollimit ta humbin këtë vit shkollor.
Lidhja e punëtorëve të arsimit shqiptar;
Lidhja e arsimtarëve të gjuhës e letërsisë shqipe;
Unioni i inteligjencës shqiptare në Maqedoni;
Forumi për të drejtat e njeriut në Shkup;
Shoqata e gruas shqiptare në Shkup”