Shkup, 14 shkurt – Në gjendje kritike janë tre nga tetë pacientët të cilët po mjekohen në Klinikat kirurgjike në Shkup, të cilët u lënduan në fatkeqësinë e djeshme të autobusit në autostradën Shkup-Tetovë afër fshatit Llaskarcë.
Drejtori i Klinikës për traumatologji, ortopedi, reanimacion, mjekim intensiv dhe qendër urgjente, Ilir Hasani deklaroi se një nga tre pacientët para pak kohësh është transferuar nga SPQ “8 Shtatori” me lëndime të rënda në krahëror, që do të duhet të sanohen.
Po ndërmerren masa për stabilizim të gjendjes edhe të të dy pacientëve të tjerë në gjendje kritike, një vajze dhe një burri, të cilit disa herë i është operuar krahërori. “Ai është me gjakderdhje serioze dhe tek ai është intervenuar disa herë. Është në gjendje të rëndë, po e ndjekim me vëmendje dhe nëse nevojitet do të intervenojmë sërish. Në gjendje mjaft të rëndë është edhe vajza e re, me medikamentet që i pranon gradualisht po stabilizohet, por megjithatë është në gjendje të rrezikut për jetë”, deklaroi Hasani.
Ai theksoi se dy nga 10 të pranuarit deri më tani në kompleksin e klinikave në Shkup janë lëshuar në mjekim shtëpiak, ndërsa tek pesë të lënduarit e tjerë gjendja është stabile.
Përveç tre pacientëve në Kliniakt kirurgjike, në gjendje kritike janëe dhe dy nga të hospitalizuarit në SPQ “8 Shtatori”.
Në fatkeqësinë në të cilën jetën e humbën 14 persona, u lënduan gjithsejt 37 të tjerë. (koha.mk)