Shkup, 11 tetor – Përkthyesit dhe shkrimtarit, Dragi Mihajllovski, shkrimtarit dhe gazetarit Risto Llazarov, aktorit Petre Arsovski dhe kirurgut-urolog Aleksandar Stavridis sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë iu dorëzuan çmimet shtetërore “11 Tetori” për vitin 2018.
Mihajllovski, Llazarov dhe Arsovski çmimet i morën për vepër jetësore në fushën e kulturës dhe artit, ndërsa Stavridis për vepër jetësore në fushën e shëndetësisë.
Vendimin e solli Këshilli për ndarjen e çmimit “11 Tetori”, i cili është mirënjohja më e lartë për vepër jetësore. Fituesve, çmimin ua dorëzoi kryetari i Këshillit, Dragi Gjorgjiev.
“Veprat e fituesve të kësaj mirënjohje të lartë dëshmojnë dhe konfirmojnë se shoqëria e Maqedonisë ka kapacitet të vet, institucional dhe civilizues si dhe vizion për ta ndërtuar të ardhmen e vet, duke i njohur cilësitë e vërteta. Sot kemi nderin ta konfirmojmë dhe shpërblejmë kreativitetin, origjinalitetin dhe qëndrueshmërinë e katër mendjeve krijuese, përkushtimi i të cilëve, si dhe rezultatet profesioniste të të cilëve e përforcojnë progresin tonë, harmoninë shoqërore dhe vlerësimet civilizuese”, tha Gjorgjiev.
Dituria e tyre, imagjinata dhe fryma, të sendërtuara në punën e tyre shumëvjeçare, theksoi, e pasurojnë dhe e lehtësojnë jetesën tonë dhe janë pjesë e ekzistimit dhe ndërtimit të vizionit për të ardhmen.
Në emër të fituesve të çmimit të sivjetmë “11 Tetori”, foli Llazarov, i cili u falënderua dhe tha se “mirënjohjen e lartë e kupton si hapërim pasues nëpër shtigjet e famshme të etërve të mëdhenj të shoqërisë bashkëkohore të Maqedonisë, ata që në errësirë depërtuan nëpër rrugën drejt dritës, ata që nga sprovat bënë zgjidhje”.
Gjatë ndarjes së çmimit shtetëror “11 Tetori” në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë morën pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev, ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, deputetë, akademikë…