Mançester Junajtedi, Mançester Siti dhe Çellsi kanë nisur garën për të marrë mesfushorin e kombëtares italiane, Lorenzo Pelegrini, çmimi i të cilit nuk i kalon 30 milionë euro. Tre skuadrat e Premier Ligës janë vënë në gjurmët e futbollistit të Romës, bazuar te fakti se në qershor do të ketë një “klauzolë” për prishjen e kontratës së tij me verdhekuqtë, e cila është 25 milionë euro. Lajmin e ka bërë të ditur tabolidi “The Mirror”.
Pelegrini pëlqehet nga disa klube në Evropë pasi ka lënë një përshtypje shumë të mirë në 23 ndeshje të luajtura me AS Roma në këtë edicion të Serie A. Mesfushori, i cili ka luajtur edhe një ndeshje e kombëtaren e Italisë, mund të jetë një “mollë sherri” mes Hoze Murinjos dhe Antonio Kontes që nuk e kanë fshehur interesimin e tyre për Pelegrinin. Pep Guardiola i Mançester Sitit, gjithashtu do të trokasë në dyert e klubit të Romës, që faktikisht shpreson ende te rinovimi i kontratës së Pelegrini në “Olimpico”. Pelegrini është rritur në skuadrat e moshave të Romës përpara se të “piqej” te Sassuolo. Në verën e kaluar, Roma e riktheu në shtëpi, për 10 milionë euro, duke shfrytëzuar një klauzolë që kishte në kontratën e tij, teksa një tjetër klauzolë rrezikon ta largojë nga skuadra e Di Françesko.