Gostivar, 17 dhjetor – Pesë muaj para zgjedhjeve lokale, në radhët e Këshillit të Komunës së Gostivarit do të ketë ndryshime, shkruan gazeta KOHA. Gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, disa këshilltarë nga Këshilli komunal i qytetit të Gostivarit, u gjenden në listat e kandidatëve për deputet. Tre nga ata e fituan mandatin e deputetit. Në vendin e tyre në Këshill do të ulen tre këshilltarë të rinj. Mandat deputeti fitoi këshilltarja e qytetit të Gostivarit nga radhët e VMRO-DPMNE-se Dafina Jovanovska-Stojanovska, kurse në vendin e saj në këshill vjen Magdalena Petrushevska. Ndryshim do të ketë edhe në radhët e LSDM-së. Nga kjo parti si këshilltarë i deritanishëm ishte Bllagojçe Trpevski, i cili fitoi mandatin e deputetit dhe vendime tij në këshillin e Gostivarit e zë Spiro Arsoski. Vesel Memedi nga RDK është deputeti tretë që del nga këshilli komunal i Gostivarit, kurse vendin e tij në këshill do ta zë e dhjeta që ishte në listë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2013-të nga radhët e RDK-së në Gostivar, Drita Useini. Këto ndryshime në Këshillin e Komunës së Gostivarit do të bëhen pasi tre këshilltarëve të deritanishëm do t’u verifikohen mandatet për deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Sipas paralajmërimeve, Këshilli i Komunës së Gostivarit mbledhjen e radhës do ta mbajë një javë para vitit të ri, respektivisht para datës 25 dhjetor. Nëse deri atëherë do të ketë verifikim të mandateve dhe konstituim të Parlamentit të Maqedonisë, në seancën e fundvitit të Këshillit të Komunës së Gostivarit, në vend të tre këshilltarëve të deritanishëm, do të ulen këshilltarët e rinj, të cilët këtë pozicion do ta mbajnë për gati pesë muaj deri në zgjedhjet e ardhshme lokale të paralajmëruara për në muajin maj. (D.Z)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.