Arsenal, Çellsi dhe Mançester Siti kanë shpresë se mund të marrin sulmuesin Vilfred Zaha nga Kristal Pallas gjatë merkatos së janarit. “Daily Mirror” ka shkruar se të tre këto klube janë gati të paguajnë 40 milionë sterlina për futbollistin, teksa trajneri Roj Hodxhson i ka hapur dritën jeshile këtij transferimi. Ish-trajneri i Anglisë deklaroi se do të donte të punonte me kënaqësi me Zahan, por nëse ai kërkon largimin atëherë transferimi mund të kryhet.
“Nuk mendoj se kjo është në dorën e një trajneri. Padyshim që unë dua të vazhdoj punën me Zaha dhe pjesa më e madhe e tifozëve kanë këtë dëshirë, por nëse futbollisti kërkon largimin, atëherë klubi vendos çmimin dhe transferta kryhet”, deklaroi Hodxhson.
Arsenali e kërkon me më ngulm duke parë që Aleksis Sançez dhe Mesut Ozil janë në fund të kontratave. Edhe Çellsi ka nevojë për të gjetur një sulmues, teksa Siti nuk i humbet kurrë të tilla raste për të shtuar cilësinë në përbërje.