Kreu i Parlamentit, Talat Xhaferi, ka caktuar seancë plenare për 24 prill, tre ditë pas mbajtjes së rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Nga kabineti i tij, por jo vetëm – edhe ekspertët thonë se kjo nuk është në kundërshtim as me Rregulloren për punën e Parlamentit e as me ligjin, edhe pse vendi është në proces zgjedhor
Destan JONUZI
Shkup, 20 prill – Parlamenti ka caktuar seancë plenare për ditën e mërkurë, tre ditë pas mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, edhe përkundër deklaratave të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, para fillimit të fushatës zgjedhore, se nuk do të ketë seancë plenare deri më 5 maj, shkruan gazeta KOHA.
“Më 24 prill, me fillim prej orës 11, Parlamenti ka caktuar seancë në të cilën do të votohen për herë të dytë ligjet të cilat presidenti Ivanov nuk i ka firmosur, midis të cilëve janë edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kryeparlamentari vepron në pajtueshmëri me rregulloren dhe dispozitat ligjore, të cilat thonë se ligjet që nuk firmosen nga Presidenti, rikthehen në votim në Parlament. Kryetari vetëm se ka respektuar Ligjin”, deklaruan për gazetën KOHA, nga kabineti i kreu të Parlamentit, Talat Xhaferi.
Edhe pse Xhaferi në brifingun e fundit me gazetarë pati deklaruar se ligjet do të presin nënshkrimin e presidentit të ri, është më se qartë se të njëjtit ai do ti shpallë në Gazetën Zyrtare, vetëm me një nënshkrim. Po ashtu mbetet e hapur edhe çështja nëse në seancën e caktuar për të mërkurën, do të tentohet që të kalohet edhe Ligji për Prokurorinë Publike, pa mbështetjen e opozitës, nëse shumica i siguron dy të tretat e votave. Deklarata e Xhaferit se nuk do të caktohet seancë plenare, është dhënë pasi që Ligji për Prokurorinë Publike i “kryqëzoi” pozicionet e kreut të Parlamentit dhe ministres së Drejtësisë, Deskoska, e cila deklaroi atëkohë se nëse grupet e punës mes pushtetit dhe opozitës arrijnë marrëveshje për fatin e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Ligji menjëherë hynë në procedurë parlamentare, ndërsa kreu i Parlamentit kishte reaguar me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, duke i thënë ministres se nuk punon nën diktatin e saj. “Parlamenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, punon në pajtueshmëri me Rregulloren, e jo në bazë të diktatit, dhe aq më pak, jo sipas pozicioneve individuale, qoftë edhe të ministres, apo kushdo qoftë tjetër”, pati shkruar Xhaferi.
Kryeparlamentari në brifingun e fundit me gazetarë porositi se kur të arrihet marrëveshje për Ligjin për Prokurorin Publike, ai do të pres që pas zgjedhjeve të futet në rend dite në seancë plenare. Gjatë kohës së fushatës nuk do të caktojë seancë, pasi që siç ka thënë Xhaferi, praktika ka treguar se foltorja e Parlamentit, është shfrytëzuar për promovime të partive politike. Edhe juristi Qenan Aliu, thotë se caktimi i seancë për 24 prill, nuk është në kundërshtim me Rregulloren e Parlamentit, dhe se sipas tij, kreu i Parlamentit po bënë punën e tij që ia cakton Ligji. “Kjo që Parlamenti nuk zhvillon seanca në intervalin kohor prej kur fillon fushata zgjedhore deri në përfundim të zgjedhjeve, është etabluar si praktikë e Parlamentit, si rregull e pa shkruar, duke justifikuar me faktin që të mos keqpërdoret foltorja e Parlamentit për marketing dhe retorik për favore të zgjedhjeve. Ndërkaq, sipas Kushtetutës, Parlamenti është në kuvendim të vazhdueshëm. Por kuptohet pa shqyrtime me prapavijë politike, e cila do të mund të cenon procesin zgjedhor për favore të një pale”, deklaroi për gazetën KOHA, Qenan Aliu, jurist. Ndërkohë, presidenti Gjorge Ivanov nuk ka nënshkruar dekretet për shpalljen e 11 Ligjeve të miratuara nga Parlamenti me datë 28 shkurt, 4 mars dhe 6 mars. Midis ligjeve që nuk kanë marrë nënshkrimin e Ivanovit, janë edhe ndryshimet ligjore për Kodin Zgjedhor, Ligjin për Këshillin Gjyqësor, Ligjin për qasje në informacionet me karakter publik etj. Ivanovi mos nënshkrimin e dekreteve e ka arsyetuar me mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesave të shtetit. Sipas nenit 75, paragrafi 3 nga Kushtetuta, Ivanovi është i detyruar të nënshkruajë dekretet për ligjet të cilat miratohen me votat e 80 deputetëve. (koha.mk)