Tre artistë nga Gostivari ekspozojnë në Nju-Jork

Të enjten me 13 qershor në MC Gallery në Nju Jork, tre artistë nga Gostivari, sjellin fragmente nga Ballkani. Në këtë ekspozitë të përkrahur nga Ministria e Kulturës së Republilës së Maqedonisë së Veriut dhe Komuna e Gostivarit do të prezantohen Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti me piktura, kurse Osman Demiri me fotografi. Janë këto copëza jete të harmonizuara në një ekspozitë të përbashkët për ta prezantuar artin e tyre pak më ndryshe në një vend prestigjioz siç është Nju Jorku. Gërshetimi i detajeve fotografike të Demirit me ekspresionizmin në pikturën e Spahiut dhe Mexhitit, janë një harmoni ngjarjesh të ndryshme të nënqiellit ballkanik, të cilin ata do t’ia prezantojnë publikut të atjeshëm. Ideja e kësaj ekspozite ishte që të tre, secili në mënyrën e vet ta përcjell një mesazh përtej oqeanit. Ekspozita në fjalë, e titulluar si “Fragmente nga Ballkani” ngërthen ciklet e fundit të artisteve.

Figuracioni i demit në pikturat e Spahiut simbolizon kryeneçësinë e popujve ballkanik, të cilët jo çdoherë zgjedhin dialogun si mënyrë për t’i zgjedhur problemet mes tyre, por instinktivisht dhe të nxitur nga “rrethi” anojnë kah zgjedhja e problemeve me forcë.

Nga ana tjetër, lirika ekspresive që është shumë e theksuar në tablotë e Mexhitit, të shkëputura nga cikli “Dimenzione kohore”, paraqet shpirtin kreativ të po këtyre popujve. Ata edhe përkundër hasmërive dhe tekeve që kanë historikisht mes tyre, shpirtërisht në vete bartin mirëkuptim dhe tolerancë.

Dëshmi më vete janë fotografitë e Demirit, të shkëputura nga cikli “Dialog dhe Kompromis”. Në to autori prezanton dhe vërteton se çdo gjë duhet të fillojë dhe mbarojë me dialog, dhe se, për fat të keq në Ballakan jo rrallë, dialogu nuk përfillet dhe krijohen konflikte, absolutisht të panevojshme dhe se u duhet kohë e gjatë dhe ndërhyrje nga jashtë për t’u gjetur ndonjë kompromis.

Pra, secili nga këta tre artistë, bart më vete idenë dhe kreativitetin artistik, si dhe mesazhin e qartë se mu këto diversitete, Ballkanin e bëjnë të veçantë, dhe se duhet punuar që një ditë këto të njëjtat të formojnë një tërësi të përbashkët. Ekspozita përmban 30 punime dhe do të jetë e hapur 10 ditë.