Të enjten me 13 qershor, në MC Gallery në Nju-Jork, tre artistë nga Gostivari, sjellin fragmente nga Ballkani. Në këtë ekspozitë të përkrahur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Komuna e Gostivarit do të prezentohen Safet Spahiu dhe Bashkim Mexhiti me pikturë, kurse Osman Demiri me fotografi. Janë keto copëza jete të harmonizuara në një ekspozitë të përbashkët për ta prezantuar artin e tyre pak më ndryshe në një vend prestigjioz siç është Nju Jorku. Gërshetimi i detajeve fotografike të Demirit me ekspresionizmin në pikturën e Spahiut dhe Mexhitit, janë një harmoni ngjarjesh të ndryshme të nënqiellit ballkanik, të cilin ata do t’ia prezantojnë publikut të atjeshëm. Ideja e kësaj ekspozite ishte që të tre, secili në mënyrën e vet ta përcjell një mesazh përtej oqeanit. Ekspozita në fjalë, e titulluar si “Fragmente nga Ballkani” ngërthen ciklet e fundit të artisteve.
Figuracioni i demit në pikturat e Spahiut simbolizon kryeneçesinë e popujve ballkanik, të cilet jo çdoherë zgjedhin dialogun si mënyrë per t’i zgjidhur problemet mes tyre, por instiktivisht dhe të nxitur nga “rrethi” anojnë kah zgjidhja e problemeve me forcë.
Nga ana tjetër, lirika ekspresive që është shumë e theksuar në tablotë e Mexhitit, të shkëputura nga cikli “Dimenzione kohore”, paraqet shpirtin kreativ të po këtyre popujve. Ata edhe përkundër hasmërive dhe tekeve që kanë historikisht mes tyre, shpirtërisht në vete bartin mirëkuptim dhe tolerancë.
Dëshmi në vete janë fotografitë e Demirit, të shkëputura nga cikli “Dialog dhe Kompromis”. Në to autori prezanton dhe vërteton se, çdo gjë duhet të filloj dhe mbaroj me dialog, dhe se, për fat të keq, në Ballakan jo rrallë, dialogu nuk përfillet dhe krijohen konflikte, absolutisht të panevojshme dhe se u duhet kohë e gjatë dhe ndërhyrje nga jashtë për t’u gjetur ndonjë kompromis.
Pra, secili nga këta tre artistë, bart më vete idenë dhe kreativitetin artistik, si dhe mesazhin e qartë se mu këto diversitete, Ballkanin e bëjnë të veçantë, dhe se duhet punuar që një ditë këto të njëjtat të formojnë një tërësi të përbashkët. Ekspozita përmban 30 punime dhe do të jetë e hapur 10 ditë.