Individë (figura) që krijojnë struktura, të njëjtët që në vitet e 90’ e ulën partinë e vetme politike shqiptare në prehër të politikës për shtet një etnik maqedonas (përkufizim ky që ngjan folklorik, por rezultoi i vërtetë) nën ombrellën e një vëllazërim-bashkimi të rrejshëm, ose me tendencën se politikani shqiptar duhet të jetë me çdo kusht i pranueshëm nga politika maqedonase, po e luajnë të njëjtën lojë sot, nën maskën e analistëve, opinion dhënësve dhe nga pozita tjera kuazi intelektuale, kuazi vizionare
Nga Festim POLLOZHANI
Në një momentum politik kur Maqedonia është ndalur në një “pit-stop” duke kërkuar orientimin e saj politik drejt lindjes ose perëndimit, shqiptarët e Maqedonisë po vazhdojnë të përballen me anarki sui generis, të cilat një kohë të gjatë po e mbajnë peng këtë strumbullar.
Ngjajnë si anarkitë e Nolit, në një kohë kur shqiptarët ishin në pozitë krejt tjetër, por sot anarki të ngjashme e kanë kapluar strumbullarin shqiptar matanë kufijve administrative dhe duket se askush nuk mërzitet për këtë edhe pse shqiptarët në Ballkan sot kanë dy shtete të pavarura.
Po e filloj nga anarkia e parë me gjasë më e rëndësishmja, më substancialja – anarkia politike. Në aparencë është krijuar një rreth politik nga i cili nuk ka dalje dhe e njëjta gjë vazhdon të përsëritet dhe ngjan si një qark i mbyllur.
Individë (figura) që krijojnë struktura, të njëjtët që në vitet e 90’ e ulën partinë e vetme politike shqiptare në prehër të politikës për shtet një etnik maqedonas (përkufizim ky që ngjan folklorik, por rezultoi i vërtetë) nën ombrellën e një vëllazërim-bashkimi të rrejshëm, ose me tendencën se politikani shqiptar duhet të jetë me çdo kusht i pranueshëm nga politika maqedonase, po e luajnë të njëjtën lojë sot, nën maskën e analistëve, opinion dhënësve dhe nga pozita tjera kuazi intelektuale, kuazi vizionare. Të tillët përveç kësaj e kanë edhe aftësinë e ripërshtatjes, ose rehatimin e lehtë në çdo strukturë të re partiake që ngjan shumë me përshkrimin e politikanit kroat Stipe Mesiq në memoaret politike të tij, ku flet për servilizmin politik deri në atë masë (pa dashur ta banalizoj) sa edhe kur ish kryetari Tugjman duke luajtur tenis e nxirrte topin jashtë fushe, figura të caktuara brohorisnin “bravo kryetar”.
A mund të jenë avangardë të një politike vizionare, progresive dhe për më tepër pro evropiane figurat veçmë të sprovuara politikisht dhe me sa kam lexuar, të dështuara?! Jo, por nuk ka kush ti shtyjë jashtë skenës politike – prandaj kapaciteti intelektual i të rinjve që duan të kontribuojnë politikisht mbetet i pashfrytëzuar dhe citoj Platonin me një thënie: “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”.
Është mëkat që kapaciteti intelektual dhe shoqëror i të rinjve të ngulfatet dhe së këndejmi ata kërkojnë një shteg jashtë vendlindjes në mënyrë masive dhe nuk ka asnjë mekanizëm që ta ndalë këtë fenomen.
Anarkia e dytë që e ka kapluar strumbullarin shqiptar në Maqedoni është anarkia fetare. Jemi në një pozitë ku pothuajse nuk mund të flasim për shqiptarët katolikë ose ortodoksë që vazhdojnë të frymojnë me gjithë tendencat shumë dimensionale për asimilimin e tyre në kohë më të vështira por që vazhdon edhe sot. Po them se elementi fetar është i rëndësishëm dhe askush nuk e mohon këtë, por në asnjë mënyrë nuk guxon të përdoret si instrument i përçarjes. Margjinalizimi i shqiptarëve të krishterë tenton të fshehë të vërteta tjera, si për shembull nëse tash si orientim themi: “jam në Shkup te Trgovski “, në një paralele tjetër do thonim: “jam te lagja e shqiptarëve katolikë” ose “jam këtu përballë shtëpisë së Serreqëve, Bojaxhive etj”; ose duke qenë nga Struga nuk mund të themi se një djalosh nga familja Mato në Strugë në vitin 1943 e ka ngritur flamurin shqiptar në dritaren e shtëpisë, ose që ka familje të cilat deri para dy – tre brezash kanë qenë e njëjta familje,kurse sot bëhen të huaj për shkak të kësaj ndasie. Realitete të prekshme por që nuk guxon ti përmendë askush ose të ndërmarrë iniciativë konkrete në këtë drejtim . Kthimi në identitet i kësaj pjese të asimiluar të kombit duhet të jetë detyrë primare e politikës dhe shoqërisë duke ua zgjatur dorën dhe jo duke i larguar me theksimin e ndasive fetare duke e anashkaluar përkatësinë kombëtare. Edhe unë jam mysliman për nga përkatësia fetare, por askush nuk mund të më thotë se nuk i kam vëllezër shqiptarët e krishterë dhe mos e harrojmë Veqilharxhin, i cili ka thënë se: “Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet”. A nuk po e bëjmë ne këtë gjë në mënyrë indirekte dhe të heshtur?!
Anarkia e tretë, por jo më pak e rëndësishmja është anarkia arsimore. Nuk dua ta bëj punën e institucioneve përkatëse por dikush duhet të thotë se një arsim pa vlera të mirëfillta mund të jetë regresiv. Lejimi i funksionimit të universiteteve pa asnjë kriter, në raste edhe duke e bërë thjesht këmbimin diplomë – para, absolutisht rrezikon të prodhojë analfabetë funksional. Lejimi i degradimit me rektorë (që duhet të jenë shtylla e universitetit) me tituj të dyshimtë akademikë krijon rektorë me komplekse akademike – fenomen që për hir të së vërtetës mund të jetë prezent edhe në botën perëndimore por atje me tu zbuluar, personi jep dorëheqje nga funksionet publike si akt moral. Ndikimi i politikës në përzgjedhjen e kuadrove akademike nuk duhet të jetë prezent sepse prodhon dy efekte negative: prodhimin e një klase studentore të papërgjegjshme dhe nga ana tjetër heshtjen e klasës akademike kundrejt devijimeve politike shoqërore dhe institucionale. Nëse universitetet si nivel më i lartë akademik i shoqërisë heshtin, atëherë kush mund të flasë për devijimet në fjalë?!
Strumbullari shqiptar në Maqedoni ka nevojë të lirohet nga këto tre anarki që janë shndërruar në fenomene, është një situatë e cila po shndërrohet në gjendje, një gjendje e cila po e dëmton në mënyrë të heshtur trungun shqiptar në Maqedoni. Kush duhet të shqetësohet për këtë gjë më shumë se shtetet amë?! (koha.mk)