Trashëgimia, fqinjët që njihen pak

Evis HALILI

Shkup, 27 shkurt – Edhe pse marrëveshjet e bashkëpunimit në kulturë me vendet fqinjë janë nënshkruar prej disa vitesh, bashkëpunimi konkret nuk funksionon në të gjitha sferat, shkruan gazeta KOHA. Trashëgimia mbetet shumë postë në agjendat e bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta, apo një prej pikave të dobëta të bashkëpunimit, qoftë me Kosovën, apo Shqipërinë. Dhe duhet të ngrihet në një nivel më të lartë institucional, pohon drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Trashëgimisë, Viktor Lilçiq, i cili është takuar të enjten në Prishtinë me drejtuesit e Departamentit Trashëgimisë Kulturore dhe të Muzeut. Ky ka qenë takimi i parë i këtij niveli dhe sipas tij edhe pse nuk është diskutuar për projekte konkrete të paktën janë hedhur bazat e bashkëpunimit në të ardhmen.

“Kemi folur për mundësinë për të pasur një projekt të përbashkët duke konkurruar në fondet IPA, ne si drejtori, Departamenti i trashëgimisë, muzeu i Prishtinës, si edhe disa komuna kufitare. Ende nuk kemi një projekt konkret, por ideja është që të ndihmojmë në zhvillimin e potencialeve turistike, përmes trashëgimisë, monumenteve të kulturës, e kështu me radhë. Do të ishte mirë që bashkëpunimi të vazhdonte edhe me Shqipërinë dhe të ishte në nivel më të lartë, pasi vendet tona kanë shumë monumente dhe thesare të trashëgimisë të cilat nuk janë të shfrytëzuara si duhet, si potenciale turistike. Ne prej disa vitesh marrim pjesë në panairet ndërkombëtare të trashëgimisë dhe ka shumë njerëz që pyesin – të themi si mund ta vizitojë xhaminë e Larme në Tetovë, si të shkoj në Ohër e kështu me radhë”, thotë Lilçiq. Ndërkohë që në Tiranë të mërkurën dhe të enjten u zhvillua Konferenca e tretë ministeriale “Nxitja e Kulturës për Zhvillim të Qëndrueshëm, në kuadër të Presidencës së Shqipërisë të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore, ku si qëllim kryesor është potencimi i rolit të kulturës si një nxitës për zhvillimin e qëndrueshëm mes vendeve të rajonit. Theksi iu vu edhe problematikës së trafikimit të pasurive kulturore. Ministrja shqiptare e Kulturës, Mirela Kumbaro, në fjalën e mbajtur e quajti kulturën si një mjet, që i zhbën diferencat e na bën të kuptojmë se ngjashmëritë janë ato që dominojnë mes vendeve e popujve. “Në kulturë, periferia humbet kuptimin e fjalës, sepse është thjesht një fakt kulture, i cili kthehet në një mundësi, në një mjet komunikimi dhe njohjeje reciproke. Kulturat tona sado të na ngjajnë, apo sado të duam, nganjëherë dhe dëshpërimisht, të tregojmë se jemi të ndryshëm nga tjetri, janë një botë e tërë për t’u zbuluar”, u shpreh Kumbaro. (koha.mk)