Urim HASIPI
Tetovë, 20 prill – Në rajonin më të gjerë të Pollogut shumë pak lokalitete me peshë historike nga e kaluara jonë janë revitalizuar. Edhe ato pak lokalitete që kanë qenë pjesë e hulumtimeve arkeologjike, megjithatë nuk kanë përfunduar apo gërmimet kanë filluar dhe kanë ngelur përgjysmë, pa u dhënë detaje se çka është gjetur, shkruan gazeta KOHA. Historiani Hamdi Mediu, thotë se ka edhe shumë lokalitete që i ka mbuluar pluhuri i harresës, por që janë shumë lokalitete të së kaluarës. “Fatkeqësisht ne shumë pak merremi me këtë drejtim të shkencës, nëse mundet që kështu të shprehem. E kemi Kalanë e Leshkës që është fare e paprekur, kemi Kalanë e Nicës në Orashë ku edhe ajo është fare e paprekur dhe ka mbetur nën gërmadha. Kemi edhe lokalitete të tjera, të cilat duhet të hulumtohen, por shteti, mbi të gjitha dhe institucionet arkeologjike, institucionet e trashëgimisë kulturore shpirtërore, Drejtorinë për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë e kështu me radhë, fatkeqësisht shumë pak kanë punuar në këtë drejtim”, deklaroi ai.
Institucionet shumë pak janë marrë me hulumtimin e këtyre lokaliteteve, madje mungojnë edhe projektet për gërmime që do të zbardhnin misteret rreth lokaliteteve në Pollog që vetëm janë përfolur, por nuk dihet asgjë, shprehet historiani i artit, Hamdi Mediu. “Fare nuk bëhen projekte nga institucionet përkatëse për hulumtimin e këtyre lokaliteteve. Kjo pjesë e nënqiellit tonë, Tetovës, rrethinës Pollogut, me një fjalë edhe pse në dokumentet e vjetra antike janë të shënuara disa lokalitete të cilat fatkeqësisht nuk hulumtohen sot, kjo është pjesë të cilën institucionet duhet ta bëjnë jo individët, institucionet duhet që të bëjnë projekte ekipe të mirëfillta për hulumtimin e këtyre lokaliteteve që në një farë mënyre ne duhet që ta njohim të kaluarën tonë, sepse de fakto ajo është historia jonë, por shumë pak në ditët e sotme në këtë drejtim punohet dhe mua më vjen keq që institucionet nuk bëjnë projekte të tilla për hulumtimin e lokaliteteve, për hulumtimin e trashëgimisë kulturore, të cilat kanë mbetur pezull”, thotë për KOHA, Mediu.
Krahas lokaliteteve apo vendbanimeve të vjetra rajoni i Pollogut ka qenë i pasur edhe me shumë ura në të kaluarën që janë ndërtuar në periudha të mëhershme, por që me kalimin e kohës janë të parestauruara. “Gjithçka është e mundur. Unë do të përmendi një segment ditëve të sotme që ndodhi renovimi ose ringritja e Urës së Kazazëve që është mbi lumin Shkumbin gjatë gërmimeve hasën në muret e këmbës të urës së vjetër dhe unë ju thash që të mos e prishnin, sepse ato janë këmbët e urës së vjetër që është bërë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë e që defakto janë të pahulumtuara, sepse ekzistojnë dëshmitë ka edhe lokalitete të tjera por urat që i ka pasur Tetova gjatë periudhës osmane janë një trashëgimi që rrallë vend i ka, por fatkeqësisht institucionet nuk punojnë në drejtim të ngritjes së këtyre monumenteve të kësaj trashëgimie kulturore e cila ndoshta për dikë nuk ka shumë peshë, por ato janë historia jonë, ato janë e kaluara jonë që për ta ditur të ardhmen dhe të nesërmen duhet që të bazohemi në të kaluarën”, deklaroi Mediu. Në Pollog në përgjithësi, edhe pse dyshohet se ka shumë lokalitete nga e kaluara, megjithatë deri më tash përveç Kalasë së Tetovës, askund tjetër nuk janë bërë gërmime apo hulumtime të mirëfillta që do të nxirrte në pah trashëgiminë e begatshme që ndodhet nën gërmadha në këtë rajon.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara