Sa i takon projekteve kapitale, mes të cilave Teatri Shqiptar i Shkupit dhe Teatri dhe Biblioteka e Tetovës buxheti ka ndryshuar ndejshëm për atë të Shkupit, nga 250 milionë denarë në afro 340 milionë denarë. Kursimet kanë rënë më shumë në kurrizin e trashëgimisë, Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë, projekteve për promovimin, apo punimeve në lokalitete të veçanta arkeologjike, për të cilat Ministria e Kulturës prej shumë vitesh ka shpenzuar shuma të mëdha
Evis HALILI
Shkup, 30 tetor – Buxheti që do të ketë në dispozicion Ministria e Kulturës deri në këtë fundvit do të reduktohet pas miratimit të rebalancit që po shqyrtohet në Parlament. Rreth 26 milionë denarë më pak janë shkurtuar nga buxheti i vitit 2018, reduktime këto në disa projekte dhe drejtori që lidhen kryesisht me sektorin e trashëgimisë si mbrojtja, prezantimi dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, projekte të cilat kanë disa dhjetëra milionë denarë më pak, shkruan gazeta KOHA.
Sa i takon projekteve kapitale, mes të cilave Teatri Shqiptar i Shkupit dhe Teatri dhe Biblioteka e Tetovës buxheti ka ndryshuar ndejshëm për atë të Shkupit, nga 250 milionë denarë në afro 340 milionë denarë. Kursimet kanë rënë më shumë në kurrizin e trashëgimisë, Drejtorisë për mbrojtjen e trashëgimisë, projekteve për promovimin, apo punimeve në lokalitete të veçanta arkeologjike, për të cilat Ministria e Kulturës prej shumë vitesh ka shpenzuar shuma të mëdha, si Pllaoshniku, Skupi, e të tjera. Shkurtime të ndjeshme ka pësuar edhe buxheti për sallën e madhe të Filarmonisë, ku buxheti prej 25 milionë denarë është tkurrur në vetëm 2 milionë denarë. Ndryshe ky projekt kapital u prezantua vitin e kaluar si një prej prioriteteve të Ministrisë së Kulturës për t’u realizuar këtë vit.
Zëra të tjerë, si Drama, Bashkëpunimi ndërkombëtar kanë reduktime më të vogla në buxhetin e këtij viti. Ndërsa Botimet, Muzika…, kanë përfituar disa milionë më shumë me rebalancin.
Rebalanci i buxhetit të këtij viti u bë me një vonesë disa mujore, në muajin tetor, vetëm pak kohë përpara se të propozohet buxheti i Qeverisë për vitin e ardhshëm.
Buxheti i vitit 2018, rreth 69 milionë euro, ose 2 për qind e buxhetit të përgjithshëm të shtetit u prezantua nga ish ministri Robert Allagjozovski, si buxhet që do t’i jepte fund keqpërdorimeve në kulturë dhe investimet e të cilit do të shkonin direkt për kulturën dhe artin. Ky buxhet për herë të parë reduktoi në maksimum shpenzimet administrative dhe procentualisht ishte katër për qind më i madh sesa ai i një viti më parë.
Me buxhetin e vitit 2018 Ministria e Kulturës ndryshoi balancat e krijuara gjatë dhjetë viteve të fundit, duke reduktuar në formë drastike jo vetëm financimin e projekteve dhe institucioneve që lidhen me veprimtarinë në sferën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe natyrore, por edhe me financimin e sektorëve të tjerë, si kinematografinë. Agjencia e filmit procentualisht u radhitet në fund me një buxhet prej vetëm katër për qind nga buxheti i përgjithshëm për realizmin e veprimtarive kulturore. (koha.mk)