Situata ka mbetur e njëjtë për një periudhë më të gjatë. Politika neglizhuese institucionale, apatia nga vetë autoritetet komunale që nuk i konsiderojnë si potenciale turistike, por edhe vetëdija e ulët qytetare për vlerat e trashëgimisë kanë sjellë që shumë monumente të shkojnë drejt shkatërrimit
Evis HALILI
Shkup, 19 prill – Në Ditën botërore të monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike e gjithë bota e shënon me moton – “Trashëgimia për gjeneratat”. Shkëmbimi dhe transmetimi i përvojave mes gjeneratave është një hap i rëndësishëm i zhvillimit kulturor, i cili e karakterizon njerëzimin që në lashtësi, theksojnë nga IKOMOS – Këshilli botëror i monumenteve dhe lokaliteteve, shkruan gazeta KOHA. Por jo vetëm kjo ditë vendos nën dritën e fortë të prozhektorëve mbrojtjen e trashëgimisë, i gjithë 2018 është shpallur “Viti i trashëgimisë kulturore evropiane”, që nënkupton promovimin e kujdesit për diversitetin kulturor, përpjekjeve për ta mbrojtur dhe konservuar atë. Por çfarë po ndodh me monumentet dhe lokalitetet arkeologjike në Maqedoni dhe në veçanti me ato shqiptare? Situata ka mbetur e njëjtë për një periudhë më të gjatë.
Politika neglizhuese institucionale, apatia nga vetë autoritetet komunale që nuk i konsiderojnë si potenciale turistike, por edhe vetëdija e ulët qytetare për vlerat e trashëgimisë kanë sjellë që shumë monumente të shkojnë drejt shkatërrimit, si Teqeja Arabati në Tetovë, apo kalaja e Tetovës, projekti i së cilës u ndërpre pa arritur të shkonte deri në fund.
Nga ana tjetër shumë lokalitete arkeologjike të cilat nuk piketohen si vendpotenciale për ekspedita arkeologjike janë kthyer në prona private. Zinxhirit të neglizhencës institucionale i shtohen edhe kompetencat e kufizuara, si të Qendrës Konservuese të Gostivarit, funksionimi i së cilës nuk arrin të kalojë kufijtë e qytetit. Arkeologia Narona Luma Veseli, thotë se kujdesi për trashëgiminë është minimal, madje mungojnë edhe aktivitete për të shënuar këtë ditë dhe për të rritur vetëdijen tek popullsia.
“Sa i përket gjendjes së kulturës dhe ne përgjithësi asaj që e kemi trashëgimi tonën në Maqedoni vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme, sidomos ajo që është ilire dhe dardane, deri më tani nuk pasur kujdesje të veçantë. Në fakt institucionet kulturore, shoqëria duhet të jenë faktori kryesor që do kontribuojnë në ruajtjen e saj, por tek ne nuk ndodh kështu. Gjithë botën kjo ditë shënohet me aktivitete të ndryshme, ndërsa tek ne është lënë në harresë, përkundër mesazhit të sivjetshëm të IKOMOS për ta përcjellë trashëgiminë nga gjenerata në gjeneratë”, thotë arkeologia Luma. Në Qendrën Nacionale të Konservimit lista e objekteve të trashëgimisë duhet të ketë si prioritet disa monumente të rralla, të cilat duhet të hyjnë në kategorinë e monumenteve me rëndësi të posaçme nuk është gati.
Drejtori i Qendrës Nacionale të Konservimit Mehmet Selmani thotë se kaosi i krijuar prej disa vitesh ka krijuar një terren të disfavorshëm për të mbrojtur si duhet trashëgiminë. Nëse në vite buxheti që i është akorduar mbrojtjes së trashëgimisë ka qenë i vogël, me shuma më shumë sa simbolike, mungesa e kuadrit profesional, arkitektë, arkeologë, restaurues, konservues, historianë arti.., si edhe mungesa e edukatës kolektive kanë krijuar një klimë aspak të volitshme për trashëgiminë.
“Me trashëgiminë në përgjithësi situata është delikate. Presim të ndryshojë me ndryshimet në Ligjin e trashëgimisë, por jam i bindur se duhet të krijohet një fond, ashtu si Fondi i Filmit që t’i dedikohet trashëgimisë, me theks tek formimi i kuadrit për të cilin kemi mungesa të jashtëzakonshme. Që situata të bëhet edhe më e ndërlikuar mungon vetëdija dhe edukata, si tek popullsia, ashtu edhe tek komunat për të mbrojtur dhe ruajtur trashëgiminë. Jo vetëm që asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë lloj iniciative nga ana e tyre, por nuk i bëjnë pjesë as në planet e detajuara urbanistike”, thotë Selmani. (koha.mk)