Para 50 vjetësh nis lufta gjashtë ditore: Izraeli sulmoi njëkohësisht tre vende arabe fqinj, që kishin kërcënuar të asgjësonin shtetin hebre. Fitorja e Izraelit ka lënë gjurmë të thella në rajonin edhe sot. “Ndihej si një kërcënim ekzistencial për Izraelin”, kujton Moshe Milo kohën para shpërthimit të luftës. Milo ishte asokohe 23 vjeç dhe shërbente si radiomarrës në njësinë e parashutistëve izraelitë. Disa javë më parë në Egjipt ish-presidenti Gamal Abdel Nasser kishte kërcënuar, se do ta fshinte Izraelin nga harta. Tone të ngjashme dëgjoheshin edhe nga Siria. Dy luftëra kishin zhvilluar të dyja këto shtete arabe me Izraelin në vitet 1948 dhe 1956. Më pas presidenti egjiptian dislokoi trupat e veta në Sinai dhe bllokoi rrugën e Tiranit për qarkullimin e anijeve izraelite. Mëngjesin e 5 qershorit 1967 aviacioni izraelit atakoi përmes një sulmi të papritur trupat në Sinai. Kur shpërtheu lufta, ushtari Milo ishte mobilizuar për të luftuar në frontin jugor kundër Egjiptit: “Por papritur misioni ynë ndryshoi dhe ne u nisëm drejt Jerusalemit”, kujton ai.
PUSHTIMI I MURIT TË VAJTIMIT
50 vjet më vonë Moshe Milo dhe Yoram Zamsh me hapa të shpejtë shkojnë në pjesën historike të Jerusalemit përmes rrugës Al-Vad në lagjen myslimane. Më 1967 Yoram Zamosh ishte komandanti i ri i njësisë. Bashkë ata sulmuan portën e luanit dhe mundën të hyjnë në pjesën historike të qytetit, e cila që nga viti 1948 kontrollohej prej Jordanisë. Lufta gjashtë ditore i ka lidhur ngushtë deri më sot të dy shokët e ushtrisë. “Deri në luftë ne konsideroheshim si një popull i dobët i përndjekur. Holokausti kishte vetëm 25 vjet që kishte ndodhur”, thotë sot Yoram Zamosh. “E ne tashmë ia arritëm, që të ripushtojmë murin e vajtimit. Ne sërish mund të mbaheshim në këmbët tona”. Vetëm pak metra më tutje, 17 vjeçarja palestineze Haifa al Khalidi asokohe shihte marshimin e izraelitëve. Nga çatia e shtëpisë së prindërve të saj edhe sot shihet muri i vajtimit, kodra e tempullit dhe xhamia Al-Aksa. “Ne ishim fshehur në shtëpi, askush nuk guxonte të dilte, madje as të shihnim nga dritarja nuk guxonim. Dëgjuam dikë në rrugë që thërriste – ushtarët irakianë kanë ardhur”, kujton al Khalidi. “Por nëna ime shumë shpejt e kuptoi nga zërat, që ishin ushtarë izraelitë. Ishte një shok, që izraelitët kaq shpejt kishin ardhur në pjesën historike të qytetit”. Më 7 qershor 1967 trupat izraelite pushtuan territorin. “Ne pamë komandantin tonë duke qarë prej gëzimit, që mund të prekte me dorë murin e vajtimit”, kujton Zamosh. Ai ngriti aty flamurin izraelit. “Ne ishim sërish aty. Flamuri izraelit valëvitej mbi murin e vajtimit”, përshkruan momentin Zamosh, i cili e ndjen atë edhe sot njësoj si dikur.
ÇLIRIM DHE PUSHTIM
Pushtimi i pjesës historike të Jerusalemit edhe sot festohet në Izrael si “Çlirim dhe ribashkim i Jerusalemit”. Transkriptet e publikuara së fundi nga Arkivi i Shtetit në Izrael mbi mbledhjet qeveritare të qershorit 1967 tregojnë, se si pas skepticizmit fillestar me çdo ditë të luftës rritej euforia. Nëse është e nevojshme, ne mund të jemi “brenda pak orësh edhe në Bejrut”, citohet ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Moshe Dayan. Izraeli brenda pak ditësh e trefishoi territorin e vet dhe pushtoi territore duke kontrolluar edhe një popull tjetër: palestinezët. Pak pas luftës u diskutua se si do të veprohej me territoret e pushtuara. “Ne ndodhemi këtu me dy popuj, njëri me të gjitha të drejtat themelore dhe tjetri, që i mohohen të gjitha të drejtat”, me këto fjalë citohet ministri i Jashtëm Abba Eban. Kjo në sfondin e së kaluarës së hebrenjve dhe në kontekstin ndërkombëtar nuk mund të mbrohet. Në pjesën historike të Jerusalemit palestinezja Haifa al Khalidi vëzhgon pasojat e luftës: Lagja e vjetër fqinj Mughrabi u shkatërrua për të lehtësuar akesin tek muri i vajtimit. “Ata u dhanë njerëzve dy orë kohë, që të lironin shtëpitë e tyre, e pastaj erdhën buldozerët”, kujton al Khalidi. Pak ditë më vonë kjo lagje ndodhej nën rrënoja. Më vonë u krijua prej saj një shesh i lirë para murit të vajtimit. “Unë nuk e di, se ku shkuan gjithë ata njerëz. Por ata që mundën të arratisen, nuk mund të ktheheshin më në Jerusalem.” Mijëra gjatë luftës u arratisën në drejtim të Lindjes, shumë syresh edhe sot jetojnë me statusin e refugjatit në Jordani. Për palestinezët që kanë mbetur, më 1967 nisi jeta nën pushtimin ushtarak izraelit. Izraeli aneksoi pjesën lindore arabe dhe e shpalli më vonë Jerusalemin si kryeqytetin e vet të “pandarë dhe të përjetshëm”. Por kjo nuk u pranua kurrë nga bashkësia ndërkombëtare. Shumica e banorëve palestinezë të Jerusalemit Lindor u pajisën me një status të veçantë refugjati – pa të drejta civile. Palestinezët, që janë regjistruar në Jordanin Perëndimor apo në Rripin e Gazës, edhe sot e kësaj dite duhet të marrin leje prej administratës ushtarake izraelite, për të vizituar Jerusalemin. Izraeli më 1967 pushtoi edhe Sinain e Rripin e Gazës, që më parë kontrolloheshin nga Egjipti, si dhe kodrat siriane Golan. Lufta e suksesshme rrufe krijoi mitin e Izraelit të pamposhtshëm – por sidoqoftë ajo nuk u dha fund konflikteve me fqinjët arabë. Pasuan luftra të tjera. Vetëm vite më vonë Izraeli vendosi paqen me Egjiptin dhe Jordaninë. Konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve nuk është zgjidhur as sot. “Askush nuk mund ta përfytyronte atëbotë, që Izraeli do të qëndronte kaq gjatë në Jerusalemin Lindor dhe në Jordanin Perëndimor”, thotë Haifa al Khalidi. Tani vetëm mund të shpresoj, që një ditë situata do të ndryshojë”.