Shkup, 27 shtator – Transporti publik nuk shtrenjtohet, nuk shtrenjtohet asnjë shërbim i NQP Shkup, kumtuan sot nga NQP lidhur me vendimin e sjellë të Këshillit të Qytetit të Shkupit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për sistem të integruar tarifor në transportin e linjave të udhëtarëve në Shkup (biletë për një vozitje).
Nga NQP Shkup theksojnë se edhe më tej paketa e biletave për 10 vozitje kushton 250 denarë, vlera me biletën elektronike është 35 denarë, ndërsa vlera me telefon celular është 40 denarë dhe ngjashëm. “Bileta për një vozitje është shërbim i ri, produkt i ri i cili duhet nga 1 nëntori të implementohet në sistemin ekzistues për pagesë elektronike. Bileta do të dedikohet vetëm për përdorim të njëfishtë, është prej letre me çip jokontaktues, e përpunuar me standardet më të larta të sigurisë, kompaktibile me pajisje ekzistuese, gjegjësisht do të vleftësohet pa kontakt në validuesit ekzistues”, sqarojnë nga NQP Shkup.
Bileta do të mund të blihet në autobusët (tek shoferi dhe në automjetet e NQP-së edhe tek transportuesit privatë) si edhe në biletaritë e NQP Shkup dhe në rrjetin sekondar të shitjes (markete, kioskë, tobako dhe ngjashëm). Jemi të bindur, thonë nga NQP Shkup se me vendosjen e biletës për një vozitje dukshëm do të lehtësohet shfrytëzimi i transportit publik për qytetarët të cilët rrallë e përdorin transportin publik ose janë prej qyteteve të tjera, rrethanë lehtësuese do të jetë për të huajt në përgjithësi, për të gjithë ata që nuk kanë mundësi ose nuk dëshirojnë t’i përdorin opsionet për përdorimin e transportit publik (“Skopska”, telefon celular).
Të gjithë procedurën, qëndron në kumtesë, NQP Shkup e zbaton në mënyrë ligjore dhe transparente, ndërsa në çdo kohë jemi në dispozicion dhe të hapur me mediat për çfarëdo çështjesh dhe sqarimesh me qëllim që të shmangen dilemat rreth përdorimit të transportit publik nga mijëra qytetarë.