Shumica e institucioneve kanë mbetur prapa në ofrimin e informatave në bazë të Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik. Konsiderohet se e drejta e qasjes në informacione publike po ashtu kontribuon në rritjen e llogaridhënies së autoriteteve dhe zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike. Për shkak të rëndësisë që ka, e drejta për të ditur për punën e institucioneve apo informatave me karakter publik garantohet me instrumente juridike vendore dhe ndërkombëtare
Xhenur ISENI
Shkup, 22 shkurt – E drejta e qasjes në informacione publike është e drejtë e inkorporuar në të drejtën e lirisë së shprehjes. Ajo bazohet në parimin se në një shtet me demokraci të mirëfilltë qytetarët duhet të kenë mundësinë e qasjes në informacione të paktën deri në atë masë sa t’u mundësohet pjesëmarrje efektive në jetën publike dhe në çështjet që kanë të bëjnë me ta. Konsiderohet se e drejta e qasjes në informacione publike po ashtu kontribuon në rritjen e llogaridhënies së autoriteteve dhe zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike, shkruan gazeta KOHA. Për shkak të rëndësisë që ka, e drejta për të ditur për punën e institucioneve apo informatave me karakter publik garantohet me instrumente juridike vendore dhe ndërkombëtare. Instituti për Hulumtime Strategjike dhe edukim – IHSE ka zbatuar projektin “Inkurajimi i aktivizimit qytetar për monitorimin dhe raportimin e aktiviteteve të paligjshme të vetëqeverisjes lokale”. Ky monitorim ka pasur për qëllim të stimulojë interesin e qytetarëve për zbatimin e disa ligjeve kryesore për ushtrimin e të drejtave të tyre në nivel lokal. Lënda e monitorimit të transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve në Rajonin planor të Shkupit ishin: Qyteti i Shkupit, Gjykata themelore penale Shkup, ShMQSh “Orce Nikollov” – Shkup, IPSh Spitali i përgjithshëm i qytetit “8 Shtatori” – Shkup dhe IP Qendra ndër-komunale për punë sociale – Shkup.
Monitorimi është realizuar në bazë të të dhënave të marra nga institucionet si përgjigje ndaj kërkesave të paraqitura për qasje në të dhëna me karakter publik. Kërkesat përmbajnë gjithsej 52 pyetje, edhe atë: 19 pyetje në lidhje me Ligjin për mbrojtje të denoncuesve, 18 pyetje me Ligjin për qasje të lirë në të dhëna me karakter publik dhe 15 pyetje me Ligjin për veprim me parashtresa dhe propozime. Të gjithë pesë institucionet e monitoruara kanë përcaktuar persona zyrtarë që ndërmjetësojnë me të dhëna me karakter publik. Numri i personave zyrtarë në këto institucione varion nga një deri në tre dhe të gjithë kanë arsim të lartë. Personat zyrtarë nuk marrin kompensim shtesë përveç pagës dhe kanë ndjekur një deri në tre trajnime. Në Qytetin e Shkupit, personi zyrtar për ndërmjetësim me të dhëna me karakter publik mban pozitën e Këshilltarit për dhënie të informacioneve, në IP Qendra ndër-komunale për punë sociale – Shkup në pozitën e bashkëpunëtorit të ri për bashkëpunim me qytetarë, institucione, organe të administratës shtetërore, në ShMQSh “Orce Nikollov” – Shkup persona zyrtarë janë sekretari, pedagogu dhe psikologu, ndërsa Gjykata themelore penale – Shkup nuk është përgjigjur pyetjeve që më hollësisht i referohen personit zyrtar.
Qyteti i Shkupit është institucioni i vetëm që ka një hapësirë të veçantë në të cilën kërkuesi i të dhënave me karakter publik do të jetë në gjendje të ushtrojë të drejtën e tij të qasjes. Numër më të madh të kërkesave për qasje të lirë në informacione me karakter publik në periudhën 2016-2018 nga institucionet e monitoruara ka marrë Qyteti i Shkupit – 259, i ndjekur nga Institucioni publik Qendra ndër-komunale për punë sociale – Shkup me 103 kërkesa, IPSh Spitali i qytetit “8- Shtatori”- Shkup ka marrë 9 kërkesa, ShMQSh “Orce Nikollov” – Shkup 4 (nuk ka evidencë për vitin 2016 dhe 2017), ndërsa Gjykata themelore penale – Shkup nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me kërkesat për qasje në të dhëna. Qyteti i Shkupit është institucioni i vetëm nga ato që u përgjigjën cili ka arkëtuar kosto nga parashtruesit për veprim ndaj kërkesave për qasje në të dhëna me karakter publik, gjithsej 2.800 denarë në periudhën nga 2016 deri në 2018, raporton KOHA.
Asnjë nga institucionet që janë përgjigjur nuk kanë përshkruar akte të brendshme për veprim dhe procedurë për t’iu përgjigjur kërkesave për qasje të lirë në të dhëna me karakter publik, nuk ka shqiptuar asnjë sanksion disiplinor për personat zyrtarë, as nuk janë gjobitur në pajtim me Ligjin për qasje të lirë në të dhëna me karakter publik. Ekziston një nivel i ulët i transparencës tek institucionet që iu nënshtruan monitorimit. Në 30% të pyetjeve të përfshira në kërkesat për qasje në të dhëna me karakter publik nuk u është marrë asnjë përgjigje. Nivel më të lartë të transparencës tregoi ShMQSh “Orce Nikollov” – Shkup e cila iu përgjigj të gjitha pyetjeve nga kërkesa, ndërsa nivel më të ulët të transparencës tregoi Gjykata themelore penale – Shkup e cila nuk u përgjigj në 85% të pyetjeve.
Sipas të dhënave të marra, vetëm Gjykata themelore penale – Shkup ka përcaktuar persona të autorizuar që veprojnë në bazë të Ligjit për mbrojtje të denoncuesve, Ligjit për qasje të lirë në të dhëna me karakter publik dhe Ligjit për veprim me parashtresa dhe propozime. Personat e autorizuar për veprim në bazë të Ligjit për mbrojtje të denoncuesve, Ligjit për qasje të lirë në të dhëna me karakter publik dhe Ligjit për veprim me parashtresa dhe propozime kanë arsim të lartë, por trajnime të pamjaftueshme të fushës konkrete dhe për ta nuk është përcaktuar kompensim shtesë për autorizimet. Asnjë nga institucionet e monitoruara nuk ka miratuar akte të brendshme që rregullojnë procedurat në pajtim me Ligjin për mbrojtje të denoncuesve, Ligjin për qasje të lirë në të dhëna me karakter publik dhe Ligjin për veprim me parashtresa dhe propozime.
Shumica e institucioneve kanë mbetur prapa në ofrimin e informatave në bazë të Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik. Ato nuk u përgjigjen kërkesave të qytetarëve dhe të dhënat e lartpërmendura kanë për qëllim që të pasqyrojë realitetin e vërtetë te qytetarët dhe të drejtën e tyre për qasje te informatat me karakter publik në nivel lokal. Nga institucionet e monitoruara mund të konkludohet se ekziston një nivel jashtëzakonisht i ulët i zbatimit të Ligjit për mbrojtje të denoncuesve. Vetëm dy nga pesë institucionet kanë një person të autorizuar për pranim të ankesave ose kallëzimeve. Në periudhën e monitoruar nga 2016 deri në 2018, tek institucionet që janë përgjigjur nuk është evidentuar asnjë raport i vetëm nga denoncuesit. Nëse transparenca dhe marrëdhëniet me publikun do të ngjiteshin lartë në listën e prioriteteve të udhëheqësve të institucioneve publike, ka shumë gjasa që shumica e problemeve të përmendura në këtë shkrim së paku do të zbuteshin. (koha.mk)