Një pjesë e sektorit të biznesit vlerëson se zgjidhja aktuale ligjore që parashikon DAP, pa një procedurë paraprake të caktuar që të ketë qasje ndaj llogarive të qytetarëve, nevojitet që të përmirësohet në favor të mbrojtjes së fshehtësisë së të dhënave të qytetarëve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 maj – Afaristët, por edhe ekspertët juridik po e kritikojnë Propozim-ligjin e fundit për banka, i cili i mundëson Drejtorisë së të Ardhura Publike që në çdo moment të ketë qasje të lirë ndaj dokumenteve, transaksioneve dhe depozitave të qytetarëve. Sipas tyre, nevojiten intervenime serioze në ligj me qëllim që të mos rrezikohen të drejtat e qytetarëve në aspektin kushtetues të fshehtësisë së të dhënave dhe të llogarive, shkruan gazeta KOHA.
Njëherësh bankat do të japin informacione të tilla edhe për Doganën, nëse ky institucion e parashtron një kërkesë të tillë, e që lidhet më ndonjë pagesë të dhunshme.
Në arsyetimin e propozim ligjit theksohet se këto ndryshime do të mundësojnë që Dogana të realizojë kompensime të dhunshme të obligimeve doganore, ndërsa DAP më lehtë do të përgatisë raportet vjetore tatimore për vitin pasues, thonë nga Ministria e Financave.
Një pjesë e sektorit të biznesit vlerëson se zgjidhja aktuale ligjore që parashikon DAP, pa një procedurë paraprake të caktuar që të ketë qasje ndaj llogarive të qytetarëve , nevojitet që të përmirësohet në favor të mbrojtjes së fshehtësisë së të dhënave të qytetarëve .
Sipas konsulentit të biznesit, Goran Rafajllovski, të gjitha këto ndryshime ligjore i mundësojnë Drejtorisë së të Ardhura Publike më lehtë të përgatisë paraqitjet vjetore tatimore, mirëpo sipas tij qytetarët do të kenë probleme serioze kur do të fitojnë këto vendime dhe do të parashtrojnë ankesa për shkak se kjo procedurë nuk mund të bëhet në mënyrë selektive. Gjithashtu një problem tjetër serioz ka të bëjë me deshifrimin e rrugës së fitimit të parave nga ana e qytetarëve, sqaron Rafajllovski.
“Gjithashtu, qasja e tërësishme e DAP ndaj llogarive është problem në aspekt të kategorisë kushtetuese të fshehtësisë së të dhënave dhe të llogarive , andaj patjetër nevojitet që të gjendet mënyrë që ajo të përmirësohet, sepse zgjidhja e tanishme nuk është ideale ”, thekson Rafajllovski.
Nga ana tjetër, në ndryshimet e Ligjit të Bankave thuhet se në bazë të nenit 112 të ligjit, njerëzit me të drejta dhe përgjegjësi të veçanta, aksionarët, të punësuarit në banka dhe personat që përmes ofrimit të shërbimeve kanë qasje ndaj dokumenteve , të dhënave dhe informacioneve që sipas ligjit paraqesin sekret bankar, janë të obliguar ti ruajnë, dhe mund ti përdorin ato vetëm për qëllimet për të cilat janë fituar dhe nuk guxojnë, ti shpalosin ndaj personave të tretë. Në ligj janë përcaktuar përjashtime nga respektimi i obligimit të lartë përmendur.”
Një nga përjashtimet është që DAP mund të ketë qasje ndaj informacioneve dhe të dhënave në bazë të kërkesës me shkrim që parashtrohet për çdo person individual fizik. DAP prej vitit 2019, do të fillojë të përgatisë paraqitjet tatimore për çdo obligues tatimor. Për shkak të thjeshtësimit të procedurës, DAP ka nevojë të fitojë të dhënat për të ardhurat e realizuara të obliguesve tatimor në të gjitha bazat, pa parashtrimin e kërkesave individuale, dhe në pajtim me Ligjin për ruajtjen e të dhënave personale. Njëherësh, Dogana ka nevojë për të dhënat nga llogaritë transaksionale të qytetarëve, për shkak të realizimit të obligimit ligjor të pagesës së dhunshme të kompensimeve doganore“, thuhet në arsyetimin e Ministrisë së Financave për ndryshimin e Ligjit të bankave.
Ndryshe, deri tani, DAP fitonte të dhëna nga bankat vetëm me kërkesë paraprake me shkrim, ndërsa në Ligjin aktual për bankat nuk parashikohet që dogana të ketë qasje ndaj llogarive transanksionale të qytetarëve. (koha.mk)