“Në një shoqëri skajshmërisht të partizuar e drejta që opinioni të dijë nga ku vjen dhe ku shkojnë parat nuk mund dhe as që mund të jetë çështje e brendshme e partisë”, thonë njohësit e zhvillimeve politike në vend
Destan JONUZI
Shkup, 14 janar – Ligji për punën dhe financimin e partive politike po ndryshohet shpesh, ndërsa çdo ndryshim ka sjell më pak transparencë dhe kontroll në punën e tyre. Në vitin 2009, partitë u liruan nga obligimi i paraqitjes së raporteve tre mujore, ndërsa disa vite më vonë së bashku votuan për përjashtim nga Ligji për qasje të lirë të informacioneve me karakter publik, shkruan gazeta KOHA. Por, sa dhe cilat çështje do të ndryshojnë me ndryshmet e reja në Ligjin për qasje të lirë në informacionet me karakter publik të cilat për momentin janë në procedurë përgatitore.
Burimet të kyçura në grupet e punës sqarojnë se edhe pse te ato nuk ka parti politike, por ka profesor universitar të cilët mbrojnë tezën se financimi i partive politike është çështje private e partive. Nga Ministria e Drejtësisë thonë se sipas propozimit, puna financiare e partive politike do të jetë subjekt i informacioneve me karakter publik. Sipas ndryshimeve të propozuara afati për kërkesë të informacionit do të zvogëlohet nga 30 në 20 ditë. Në propozim ndryshimet ligjore parashihet që komisioni për ankesa pas qasjes së lirë në informacionet me karakter publik të mund të ngritë edhe procedura hetimore për shkelje të ligjit.
Propozim ndryshimet për normat e reja ligjore po i harton grupi i punës i përbërë nga përfaqësues të organizatave qytetare dhe Sindikatës së pavarur të gazetarëve dhe punëtorëve të medias, të cilët më së shumti e shfrytëzojnë mundësinë për qasje deri te informacionet me karakter publik. Nga Ministria e Drejtësisë kanë bërë të ditur se bashkësitë fetare nuk do të jenë bartës të informacioneve me karakter publik për arsye se nuk shfrytëzojnë para nga buxheti.
PROCESI GJYQËSOR “TALIR” ZBULON JOTRANSPARENCËN FINANCIARE
“Jam e vetëdijshme se Maqedonia do të jetë një nga vendet e rralla kur partitë politike do të duhet doemos të përgjigjen për pjesën e financimit të tyre, por njëkohësisht Maqedonia është vendi i vetëm ku po zhvillohet një proces gjyqësor siç është “Talir”, për pastrim parash, me të cilin rast janë ngrirë 69 objekte të VMRO-DPMNE-së e të cilat kjo parti i ka blerë nga vitit 2009 deri në vitin 2015. Kështu që në një shoqëri skajshmërisht të partizuar e drejta që opinioni të dijë nga ku vjen dhe ku shkojnë parat nuk mund dhe as që mund të jetë çështje e brendshme e partisë”, thotë Çausidis, anëtare disavjeçare e Lidhjes së Sindikatës së Gazetarëve të Maqedonisë.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Zudi Xhelili thotë se thellësisht është i bindur se financimi i partive politike në Maqedoni ka qenë burim i korrupsionit.
“Në emër të financimit të partive janë bë malverzime të mëdha. Shpresoj se me propozimet e reja ligjore për transparencë financiare të partive, partitë politike do të jenë më të kujdeshme me financat e tyre sidomos gjatë proceseve zgjedhore. Ligji duhet të jetë i qartë, shumë me rëndësi është të jetë i zbatueshëm dhe rigoroz në pjesën e sanksionimeve. Ndryshe nuk ka kuptim, pasi që e gjithë lufta që bëhet për pozicione nëpër parti politike ka vetëm një qëllim, pasurimi tej mase i krerëve të partive politike dhe klaneve për rreth tyre”, deklaroi për gazetën KOHA, Zudi Xhelili, ish-deputet.
Sipas tij, nëse partitë do të financoheshin kryekput nga buxheti i shtetit, transparenca do të ishte më e madhe dhe dukshëm do të uleshin dukurit negative.
INFORMIMI I PUBLIKUT, I DOMOSDOSHËM
Partitë politike në Maqedoni, ende nuk janë deklaruar se a duhet që çështja e tyre financiare të jetë objekt i informacioneve me karakter publik, të cilin informacion do të mund qytetarët ta kërkojnë në çdo kohë nga partitë politike. Nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) thonë se çështja e financimit të partive politike është shumë e rëndësishme dhe se partitë politike duhet të përfshihen në procesin e subjekteve që japin informacione me karakter publik.
“Absolutisht vlerësoj se partitë si dhe institucionet duhet që të jenë subjekt i kontrollit të opinionit për gjithë punën e tyre. Transparenca do ta rikthen besimin të funksionimi i sistemit partiak, ndërsa me këtë do të zvogëlohet edhe mundësia për malverzime të ndryshme për të cilat kemi qenë dëshmitarë në të kaluarën”, thonë nga LSDM.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së nuk marrin pjesë në punimet e grupit të punës në të cilin po shqyrtohen propozim ndryshimet për qasje deri te informacionet financiare të partive politike. “Përfaqësuesit tonë nuk marrin pjesë në grupet e punës dhe ne nuk e dimë se çfarë është paraparë me këto propozim ndryshime. Për këtë arsye për momentin nuk kemi ndonjë qëndrim për këto propozim ndryshime”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Partitë politike shqiptare me të cilat kontaktojë gazeta KOHA, thonë se propozim ndryshimet ende po hartohen dhe se kur të jenë në rend dite ato të dalin me qëndrimin e tyre.
Me ligjin për partitë politike nga viti 2004 parashihej që për të themeluar një parti politike duheshe të ketë 500 anëtarë me të drejt vote dhe të cilët do të nënshkruaj deklaratën e themelimit. Por kjo praktik ka pësuar ndryshime në vitin 2007 kur numri anëtarëve për të themeluar një parti politike është rritur në 1000. VMRO-DPMNE dhe LSDM tri herë e kanë ndryshuar procedurën për themelim të partive politike. Në vitin 2004 deklaratat e themeluesve të partisë u nënshkruheshin te Noteri, ndërsa në vitin 2007 u ndryshua që ky formalitet të bëhet para përfaqësuesit të ministrisë së drejtësisë, që në vitin 2008 përsëri të rikthehet tek noteri. Në vitin 2008 në Kodin Zgjedhor është parashikuar që për njësitë zgjedhore të diasporës të mblidhen së paku 200 nënshkrime për një njësi zgjedhore, që në vitin 2001 të rritet numri në 1000.
Gjatë zgjedhjeve të vitit 2006 ishte paraparë me ligj se një qytetarë gjatë fushatës zgjedhore mund të jep donacion deri në 5 mijë euro, ndërsa firmat dhe biznesi mund të jep donacion deri në 20 mijë euro. Në vitin 2011, ky nen ndryshohet dhe kështu që në vend të 20 mijë euro, firmat mund të japin donacion 5 për qind nga të ardhurat vjetore. Në vitin 2014 ky nen përsëri pëson ndryshime, dhe me këtë ndryshim firmave u lejohet që të japin donacion për partitë politike gjatë fushatës zgjedhore deri në 50 mijë euro. Pas Marrëveshjes së Përzhinos në vitin 2015, u bë edhe një ndryshim me të cilin personave fizik u lejohet që të bëjnë donacion për partinë e tyre të “zemrës” deri në 3 mijë euro, e për firmat përsëri deri në 20 mijë euro.
Me kalimin e viteve, partitë politike e kanë lehtësuar edhe reklamimin e tyre politik. Kështu që ato gjatë kohës së zgjedhjeve mund të reklamohen në media, ndërsa për këtë shërbim mos paguajnë, gjegjësisht ky të jetë një donacion nga vet media. Për herë të parë në vitin 2014 këto donacione kanë qenë të limituara në 50 mijë euro. Ndërsa pas marrëveshjes së Përzhinos ky nen tërësisht është larguar nga Ligji. (koha.mk)