Sulmuesja 22-vjeçare është në pritje të vendimit të Federatës së Futbollit të Argjentinës për ta lejuar të marrë pjesë në gara të femrave. Vendi i çmendur pas futbollit, Argjentina, është bërë lider rajonal për të drejtat e transgjinorëve
Dhjetëra trofe, topa dhe gota qëndrojnë në dy rafte prej druri në shtëpinë e vogël të Mara Gomezit, në periferi të Buenos Airesit. Ajo është gati të bëhet transgjinorja e parë që luan futboll profesional në Argjentinë dhe të shtojë ndonjë trofe tjetër në raftin e saj. E gjatë dhe atletike, Gomez kujton momentet e vështira që ka pasur gjatë rrugëtimit të saj si në futboll ashtu edhe në jetë.
“Kur fillova unë isha shumë e dobët. Nuk mund të shënoja gol as në portën e zbrazët. Kur i kujtoj ato momente, me vjen për të qeshur me zë të lartë”, thotë Gomez. Gomez kaloi disa vite duke luajtur në ligat lokale të Buenos Airesit para se të firmosë së fundi kontratë profesioniste me ekipin e divizionit të parë, Villa San Carlos. Tash sulmuesja 22-vjeçare është në pritje të vendimit të Federatës së Futbollit të Argjentinës për ta lejuar të marrë pjesë në gara të femrave.
Vendi i çmendur pas futbollit, Argjentina, është bërë lider rajonal për të drejtat e transgjinorëve. Në vitin 2012, Argjentina u dha njerëzve lirinë të ndryshojnë gjininë pa iu nënshtruar procedurave gjyqësore, psikiatrike dhe mjekësore. Vendimi i Federatës për Gomezin mund të vijë ditët në vazhdim dhe celulari i saj vazhdimisht bie. Shumica e mbështesin për të luajtur futboll profesionist, por ka edhe të tillë që pretendojnë se veprimi i saj është i padrejtë ndaj femrave në ligë. “Të drejtat e sportistëve transgjinorë dhe kërkesat sociale për t’i integruar në gara sfidojnë dhe kërcënojnë seriozisht të drejtat e femrave në sport“, tha Juan Manuel Herbella, një ish-futbollist që tash është mjek sportiv.
“Sportistët që kanë lindur meshkuj, kanë një avantazh të madh”. Por me këtë konstatim nuk pajtohet edhe trajneri i ekipit Villa San Carlos, Juan Cruz Vitale. Ai kategorikisht refuzon idenë që Gomez do të ketë avantazh ndaj femrave në divizionin e parë. Trajneri ka thënë se Gomez i kishte rënë në sy me shpejtësinë e saj dhe aftësinë për të shënuar gola në dy turne që e kishte përcjellë nga afër.