Interi do të udhëtojë nesër drejt Bullgarisë, ku të enjten në mbrëmje do të përballet me Ludogorets në sfidën e parë eliminatore të Europa Leagues, ndërsa Antonio Conte po bën llogaritë me laps e letër, për të ruajtur energjitë e lojtarëve të tij.
Kjo pasi zikaltrit i pret një tur force, sepse menjëherë pas dy ndeshjeve me bullgarët dhe takimit me Sampdorian në kampionat, i presin transfertat ndaj Juventusit në “Allianz Stadium” dhe Napolit në “San Paolo”, në sfidën e kthimit të Kupës së Italisë.
Pikërisht për këtë arsye tekniku zikaltër do të kërkojë të marrë rezultatet më të mira të mundshme, duke alternuar lojtarët, ndaj në Bullgari pritet që të pushojë sulmuesi belg Romelu Lukaku dhe para të luajnë dyshja Lautaro-Alexis Sanchez.
Nuk ka pushim për Marselo Brozovic, që me shumë gjasa do të shohë nga stoli vetëm ndeshjen e kthimit, që do të jetë 3 ditë para derbit të Italisë ndaj Juventusit, ndërsa në formacion pritet të luajë danezi Christian Eriksen.
Ky i fundit erdhi me bujë te zikaltrit dhe ka treguar të dhëna të mira në ato minuta që është aktivizuar, por për Conten duhet të gjejë akoma formën më të mirë fizike dhe përshtatjen taktike, para se të luajë nga minuta e parë.
Sfidat me bullgarët dhe ajo me Sampdorian janë mundësitë ideale që danezi të luajë nga minuta e parë dhe të provojë të interpretojë në mënyrën e duhur futbollin që Conte dëshiron të shohë.
Do të mungojë në ndeshjen e të enjtes edhe mesfushori Stefano Sensi, që në rastin më të mirë mund të rikthehet në pankinë në transfertën ndaj Juves, ndërsa rikuperimi i Handanovic po ecën me ritme mjaft të mira, ndonëse nuk do të luajë në Bullgari.
Conte nuk ka ndërmend të rrezikojë me kapitenin, ndaj parashikimet janë që ta hedhë në fushë vetëm në sfidën e kthimit ndaj Ludogorets, për të bërë nxehjen para ndeshjeve me Juventusin dhe Napolin, ku luhet një pjesë e mirë e sezonit.
Ndërkohë në krah pritet të pushojnë Candreva dhe Ashley Young, që kanë luajtur titullarë në sfidat e fundit dhe nga minuta e parë do ta nisin Victor Moses dhe Cristiano Biraghi, që kanë marrë shumë pak minuta javët e fundit.