“Vitin e kaluar është vënë në funksion vetëm për festën e Kurban Bajramit si treg i improvizuar për kafshë, por më pas nuk ka vazhduar të funksionojë. Për këtë vit, lidhur me këtë transferim – nuk mund të themi asgjë për shkak të situatës së jashtëzakonshme. Pas kësaj, me siguri se Komuna e Tetovës do të marrë vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje”, tha Memeti
Urim HASIPI
Tetovë, 5 prill – Edhe pse ishte paralajmëruar se tregu afër lagjes në Çarshisë së Epërme në Tetovë pikërisht pranë teleferikut, së bashku me shitësit përgjatë trotuarit në rrugën e “Lubotenit” – do të dislokohet në hapësirat e ish-shtëpisë përmirësuese, megjithatë ky paralajmërim mbeti vetëm premtim. As nga Komuna e Tetovës dhe as nga ndërmarrja publike komunale nuk kanë dhënë detaje se pse nuk është bërë dislokimi i tregut dhe ndërprerja e shitjes në trotuar. Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti, thotë se parapërgatitjet ishin bërë që vitin e kaluar për një transferim të këtillë, por për shkak të ngecjeve – nuk është realizuar. “Ka patur ngecje për transferimin e tregut nga lagjja Çarshia e Epërme në hapësirat e ish objektit të shtëpisë përmirësuese. Vitin e kaluar është vënë në funksion vetëm për festën e Kurban Bajramit si treg i improvizuar për kafshë, por më pas nuk ka vazhduar të funksionojë. Për këtë vit, lidhur me këtë transferim – nuk mund të themi asgjë për shkak të situatës së jashtëzakonshme. Pas kësaj, me siguri se Komuna e Tetovës do të marrë vendim përfundimtar lidhur me këtë çështje”, tha Memeti.
Në ndërkohë, edhe në Ndërmarrjen Publike Komunale në Tetovë nuk kanë informacione se pse është bërë një vonesë e këtillë. “Parapërgatitjet ishin bërë me kohë, pasi që NPK-së më shumë i konvenon të bëhet një transferim i këtillë duke patur parasysh se për mirëmbajtjen e pastërtisë në këtë pjesë kemi shumë probleme. Edhe pse është një treg që nuk është i organizuar sikurse tregjet tjera, ne si ndërmarrje çdo javë e pastrojmë atë pjesë. Ata që shesin pas përfundimit të punës, lënë shumë mbeturina dhe nuk i largojnë të njëjtat, kurse bartja e mbeturinave bëhet gjatë natës, ndërkohë kemi pamje jo të mirë, por edhe na merr shumë kohë. Nëse do të vjen deri tek dislokimi, atëherë edhe vendi ku është tregu mund të shfrytëzohet për ndonjë qëllim tjetër, kurse edhe trotuari do jetë më i pastër”, thonë nga NPK-ja.
Paralajmërimet ishin bërë gjatë muajit prill të vitit të kaluar, ku nga pushteti lokal në Tetovë për gazetën Koha ishin shprehur se pas zgjedhjeve presidenciale, menjëherë do të fillohet të punohet në këtë drejtim. “Është punuar intensivisht gjatë periudhës së kaluar, ka një ndërprerje të punëve shkaku u zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve do të rifillohet me punë, dhe shpresojmë se në gjysmën e këtij viti do të jetë gati, që të gjithë shitësit në pjesën afër teleferikut të Tetovës, apo pranë varrezave të transferohen në hapësirat e ish shtëpisë përmirësuese”, kishin deklaruar vitin e kaluar nga Komuna e Tetovës.
Por edhe pas përfundimit të zgjedhjeve, meqenëse kanë kaluar gati se një vit, nuk është ndërmarrë asgjë, kurse që atëherë e këndej tregjet funksionojnë në të njëjtin vend. Një kërkesë për dislokim ka ardhur edhe nga myftinia e Tetovës, e cila tashmë ka ndërtuar një objekt multidimensional në atë pjesë dhe pikërisht para këtij objekti zhvillohet shitja në trotuar. Ndërkaq, gjatë ditës së enjte kur në këtë pjesë të Tetovës organizohet ditë tregu, vështirësi haset edhe në komunikacionin rrugor, sidomos pengesa ka për në aksin rrugor Tetovë-Kodra e Diellit dhe rrugës Tetovë-Pirok. (koha.mk)