Rritet kontingjenti i futbollistëve shqiptar në radhët e Vardarit. Pas Visar Musliut, për të cilin gazeta KOHA informoi se ka arritur marrëveshje tre vjeçare me kampionin aktual të Maqedonisë, Vardari, këtij ekipi në afatin kalimtar të janarit do ti bashkëngjitet edhe një futbollist shqiptar. Fjala është për Besir Demirin. Siç merr vesh KOHA, shkupjani të cilit në janar i skadon kontrata me Shkëndijën, është shumë afër arritjes së marrëveshjes me Vardarin, me të cilin pritet të nënshkruajë kontratë tre vjeçare. Mirëpo, në anën tjetër ekziston edhe një mundësi tjetër, që Demiri të vazhdojë karrierën jashtë Maqedonisë, pasi në adresë të tij kanë arritur disa oferta, të cilat është duke i shqyrtuar menaxheri i tij. Por, ajo që është e sigurt, është se Besir Demiri nuk do të vazhdojë kontratën me skuadrën e Shkëndijës, skuadër kjo e cila e suspendoi atë për shkak se ky i njëjti nuk pranoi të vazhdojë kontratën, për të cilën siç thamë i skadon në janar 2017. (B.K.)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.