Trampi synon ta kthejë Kubën në listën e shteteve sponsorë të terrorizmit

30

Uashington, 11 janar – Administrata në largim e presidentit amerikan, Donald Tramp planifikon ta kthejë Kubën në listën e vendeve që e sponsorizojnë terrorizmin, njoftuan mediat amerikane, duke iu referuar burimeve.

Sekretari shtetëror i SHBA-së, Majk Pompeo, mund ta publikojë këtë që sot, vetëm nëntë ditë para se Trampi të largohet nga detyra. Shefi i diplomacisë amerikane e lidhi vendimin me faktin se Kuba është destinacion i të arratisurve nga drejtësia amerikane dhe kryengritësit kolumbianë për shumë vite, pretendon një burim i cili donte të mbetej anonim.

Pompeo mund ta përmendë edhe mbështetjen e Kubës për presidentin e socialistëve në Venecuelës, Nikolas Maduro, si arsye për vendimin.

Ky vendim shtesë do t’i përkeqësojë marrëdhëniet midis ish-armiqve të Luftës së Ftohtë, pasi ish-presidenti Barak Obama u përpoq t’i normalizonte. Vendimi i Obamës për të hequr zyrtarisht Kubën nga lista e terroristëve në 2015 ishte një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më vonë atë vit.

Kthimi i listës së sponsorëve të terrorizmit do të bëhej pas muajsh kontrolle ligjore, ndërsa disa ekspertë të qeverisë dyshojnë nëse vendimi është i justifikuar, tha burimi.

Presidenti i ri, Xho Bajden nuk do të mund ta kthejë atë vendim pa një proces të gjatë ligjor.