Presidenti i Amerikës, Donald Tramp, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga beteja e tij me sportin amerikan, teksa prej një jave i gjithë komuniteti sportiv i është vënë kundër numrit 1 të Shtëpisë së Bardhë. Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, Tramp ka vijuar sulmet, duke përfshirë edhe atletin xhamajkan Usain Bolt, duke bërë që kjo polemikë të kalojë edhe kufijtë e Amerikës.
“Edhe xhamajkani Usain Bolt, një nga sportistët më të mëdhenj në histori, ka treguar respekt për himnin tonë kombëtar”, ka qenë komenti i Tramp, shoqëruar me një video ku Bolt ndërpret një intervistë pas garës, për të dëgjuar në heshtje himnin amerikan. Pas këtij mesazhi ka ardhur reagimi nga Xhamajka: “Ju lutemi, lëreni kampionin tonë jashtë hileve tuaja politike”.