Uashington, 14 maj – Presidenti i SHBA-së Donald Tramp sot hodhi poshtë si pohime të pasakta të “Njujork Tajmsit” se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të dërgojnë trupa në Lindjen e Mesme, për shkak të eskalimit të tensioneve me Iranin, përcjellë KOHA.
“Mendoj se është një lajm i rremë. A do ta bëja këtë, absolutisht po. Por ne nuk kemi plan për diçka të tillë. Shpresoj që nuk do të ketë nevojë për një plan të tillë”, tha Tramp.
“Njujork Tajms” sot publikoi se Trampi në takimin e javës së kaluar me këshilltarin për siguri të Shtëpisë së Bardhë Xhon Bolton dhe me u.d. ministrin e Mbrojtjes Patrik Shanahan paraqiti plan të ri ushtarak, sipas të cilit është paraparë dërgimi i 120,000 ushtarëve amerikanë në Lindjen e Afërt, nëse Irani i sulmon forcat amerikane apo e përshpejton krijimin e armës bërthamore.
“Nëse e bëjmë këtë, ne do të dërgojmë më shumë trupa se ky numër i përmendur” tha Tramp, duke komentuar numrin e ushtarëve të përmendur nga gazeta.
“Njujork Tajms” thekson se revizion të planit kanë urdhëruar pjesëtarët e linjës së fortë të administratës amerikane, të udhëhequra nga Boltoni. (koha.mk)