Uashington, 5 prill – Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se SHBA-në e presin javët më të vështira në luftën kundër koronavirusit, duke paralajmëruar se do të ketë shumë raste të vdekjes.
“Do të ketë shumë të vdekur”, tha Tramp në fjalimin e tij ditor për pandeminë e Kovid-19.
Ai megjithatë disa herë është përqendruar në nevojën që SHBA-ja sërish të hapet për biznes.
“Duhet sërish ta hapim vendim tonë. Nuk duam ta bëjmë këtë me muaj e muaj. Shteti nuk është i gatshëm për një gjë të tillë”, tha presidenti amerikan.
Ai gjithashtu shtoi se sa më shpejtë duhet të mundësohet edhe mbajtja e ngjarjeve sportive dhe të hapen restorantet.
Ekspertët shëndetësorë në Shtëpinë e Bardhë para ca kohësh vlerësuan se SHBA-ja mund të ballafaqohet me 100.000 deri në 240.000 raste të vdekjes prej Kovid-19.
“Me siguri asnjëherë nuk kemi parë numra të tillë. Mbase gjatë luftës, gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore”, tha Tramp.
Ai shtoi se 1.000 ushtarë do të dërgohen në Nju-Jork, përfshirë edhe mjekë ushtarakë dhe infermiere.
Tramp gjithashtu paralajmëroi se 29 milionë doza të ilaçit kundër malaries do të vihen në rezervat kombëtare për pacientët me koronavirus dhe theksoi se pajisja mjekësore dhe mbrojtëse u dërgohet fillimisht atyre që u nevojitet më së shumti.