Donald Trump, presidenti i Amerikës dhe njeriu më i fuqishëm në botë, duhet të ketë mjaft detyra për të bërë, por si adoleshent ai kalon një pjesë të madhe të kohës në rrjetet sociale dhe këtë herë i është rikthyer hasmërisë që ka me basketbollistin LeBron James. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, përmes një mesazhi në “Twitter” tha: “LeBron James sapo u intervistua nga njeriu më idiot që ekziston në televizionin amerikan, Don Lemin. Arriti ta bëjë LeBron një njeri inteligjent dhe nuk është një gjë e lehtë. Mua më pëlqen më shumë Mike (Michael Jordan)”, thuhet në mesazhin e Trump.
Gazetari Don Lemon e intervistoi lojtarin e ri të Lakers, LeBron James për televizionin CNN, me të cilin Donalt Trump nuk ka marrëdhënie të mira. Në këtë intervistë, “King James” akuzoi sërish kreun e Amerikës se shfrytëzoi sportin për të përçarë amerikanët në bazë të ngjyrës së lëkurës, duke qenë racist. “Unë mendoj se Presidenti ynë po përpiqet të na ndajë, këtë gjë nuk arrij ta kuptoj, pasi falë sportit një i bardhë arrin të punopjë në krah një njeriu me ngjyrë”, tha LeBron, që pak kohë më parë mbështeti rivalët e Golden state që refuzuan ftesën për të shkuar në Shtëpinë e Bardhë.