Uashington, 24 tetor – Presidenti amerikan Donald Tramp, gjatë vizitës në Kinë muajin e ardhshëm, do të insistojë që presidenti i Kinës, Si Xhinping ta përmbushë premtimin për presion më të madh mbi Korenë e Veriut, deklaroi një përfaqësues anonim i Shtëpisë së Bardhë. Ai pohon se Tramp do të kërkojë Si t’i respektojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Phenian dhe të marrin masa të tjera kundër Koresë së Veriut. Pekini pohon se në mënyrë rigoroze u përmbahet rezolutave të KS-së me të cilat ndalohet importi i qymyrit, tekstilit dhe prodhimeve të detit, si dhe ndërprerje e furnizimit me naftë për Korenë e Veriut. Kina është partneri më i madh tregtar i Koresë së Veriut dhe është përgjegjës për 90 për qind të tregtisë së Phenianit. Disa herë Pekini zyrtar kërkoi nga Koreja e Veriut t’i ndërpresë testimin bërthamor dhe raketor. Por për tensionin në Gadishullin Korean, e akuzon edhe SHBA-në sepse disa herë kanë mbajtur stërvitje ushtarake së bashku me Korenë e Jugut.