Presidenti amerikan, Donald Tramp sot deklaroi se do ta emërojë Uilliam Bar ministër të Drejtësisë dhe prokuror publik.
Bar është jurist i njohur dhe republikan, i cili tashmë kryente funksionin ministër i Drejtësisë dhe prokurorit publik në administratën e presidentit Xhorxh Bush të Vjetrit (1989 – 1993).
“Që në fillim unë e vendosa në krye të listës”, deklaroi Tramp.
Bar do ta zëvendësojë ministrin e deritanishëm Xhef Seshëns, i cili u ndërrua muajin e kaluar.
Paraprakisht Tramp kumtoi se ka vendosur ta emërojë zëdhënësen aktuale të Departamentit të Shtetit, Hedhër Nojert për ambasadore të re të SHBA-së në Kombet e Bashkuara.
Ambasadorja e tanishme amerikane në organizatën botërore, Niki Hejli parashtroi dorëheqje në tetor, pas 18 muajve të kaluar në funksion. Pritet ajo të tërhiqet nga detyra në janar.
Nojert, e cila është ish-korrespondente dhe udhëheqëse në televizionin “Foks Njus”, nuk ka përvojë paraprake politike apo udhëheqëse. Ajo është zëdhënëse e Departamentit të Shtetit prej prillit të vitit 2017, ndërsa këtë vit u emërua ndihmës-sekretare për diplomaci publike dhe punë publike.
Drejtori politik i Shtëpisë së Bardhë, Bill Stepion dhe zëvendësi i tij, Xhastin Kllark do ta braktisin administratën e presidentit amerikan, sepse do të punojnë në fushatën e Trampit për rizgjedhjen e tij.