Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, përmes një letre dërguar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë.
Presidenti Tramp, siç njofton Zyra për informim e presidentit të Kosovës, i ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare.
“Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Tramp.
Edhe presidenti i Francës, Emanuel Makron me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka uruar presidentin Thaçi i cili ka potencuar se që nga viti 2008, se dy vendet kanë ndërtuar një marrëdhënie miqësie të bazuar në besim.
“Franca qëndron në krah të Kosovës në mbështetje të afirmimit të saj të plotë në skenën ndërkombëtare”, thuhet në letrën e presidentit Makron.
Sa i përket situatës në Ballkan, presidenti Macron në letrën e tij ka ritheksuar se mbështet përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që është thelbësore për stabilizimin e qëndrueshëm të rajonit.
“Franca shpreson se pengesat për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës do të mënjanohen sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në letrën e presidentit Makron.(koha.mk)