Avokatët të cilët punojnë me fëmijë në kontakt me ligjin duhet të paktën pesë ditë gjatë vitit të vijojnë trajnime të specializuara për drejtësi për fëmijët, në të cilat do t’i pasurojnë njohuritë e tyre në mbrojtjen e fëmijëve të cilët kanë kryer apo dyshohen për vepër penale, fëmijët dëshmitarë dhe fëmijët viktima.
Këtë e parashikon Memorandumi për bashkëpunim që sot në Qeveri e ka nënshkruar ministrja e Drejtësisë Renata Deskovska, përfaqësuesi i UNICEF-it Benxhamin Perks, kryetari i Odës së Avokatëve Lubomir Mihajllovski dhe kryetari i organizatës joqeveritare Aleanca për parandalimin e delikuencës dhe delikuencës së të miturve gjykatësi Lazar Nanev.
Bashkëpunimi, siç theksuan nënshkruesit e Memorandumit, do të kontribuojë të përforcohet lidhja mes të gjitha institucioneve, mbledhjen dhe shfrytëzimin e të dhënave për fëmijët në kontakt me ligjin.
Sipas statistikave, siç theksoi ministrja Deskovska, çdo vit në Maqedoni rreth 1.000 fëmijë vijnë në kontakt me sistemin gjyqësor, gjegjësisht këto janë fëmijë që kanë kryer ose janë të dyshuar për krime, fëmijë dëshmitarë dhe fëmijë viktima.
Këto trajnime të specializuara për avokatët, siç ka shtuar ajo, do të japin kontribut shtesë në forcimin e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.
Pas trajnimeve, Ministria e Drejtësisë, së bashku me Odën e Avokatëve do të përpilojnë listë të avokatëve të specializuar dhe do ta dorëzojnë në Qendrat për punë sociale, policisë, prokurorisë publike dhe gjyqësorit.
Trajnimet do të zbatohen bashkërisht nga Aleanca për parandalimin e delikuencës dhe delikuencës së të miturve dhe Odës së Avokatëve, me monitorimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së UNICEF-it, e cila do të sigurojë mbështetje institucionale dhe logjistike, si dhe ekspertë ndërkombëtar të cilët do të këmbejnë përvojat e tyre.