Sulmuesi shqiptar, i huazuar te Southampton nga Chelsea, ka bërë tri paraqitje si zëvendësues në Premier League, këtë sezon, duke ardhur nga stoli kundër West Ham, Newcastle dhe Manchester City. I pyetur nëse përplasja me “Blades” duket si një mundësi e humbur për sulmuesin shqiptar, trajneri Ralf Hasenhuttl u përgjigj: “Nuk ishte aq e lehtë, veçanërisht kundër një ekipi të Championship.
Në fillim ju duhet të punoni për të luftuar në ndeshje dhe kjo ishte pak problem të martën për të. Ai nuk është investuar sa duhet në ndeshje dhe më pas është e vështirë të fluturosh në një lojë si kjo. Kjo është ajo që Broja duhet të mësojë. Ai ka disa cilësi, por gjithashtu duhet të punojë shumë më tepër për të arritur në pozicionet e duhura. Nëse ndodh kjo, ai është i fortë.
Pra, si staf teknik duhet të punojmë me të. E thashë një herë, një lojtar i ri me potencial, por ka ende shumë gjëra për të mësuar”. Broja kaloi nëpër ekipet e të rinjve të Chelsea dhe nënshkroi një kontratë të re 5-vjeçare në “Stamford Bridge”, kësaj vere, para se të bashkohej me “shenjtorët” e Southampton në formë huazimi, për sezonin në vazhdim.
Shqiptari e kaloi sezonin e kaluar në huazim te Vitesse Arnhem, në Eredivisie, ku luajti 34 ndeshje dhe shënoi 11 gola.