Southgate ka vetëm fjalë të mira për lojtarët e Kosovës para ndeshjes të martën në “St Mary’s Stadium”. Ai ka përmendur Celinën, Muriqin e Vojvodën, për këtë të fundit thotë se “është një mbrojtës shumë i fortë, me aftësi të mira edhe sulmuese”. Angli – Kosovë, do të jetë më shumë se një ndeshje.
Të martën, në “St Mary’s Stadium” nga ora 20:45, do të përballen dy skuadrat që s’dinë për humbje.
Anglia nuk ka humbur asnjë ndeshje kualifikuese që nga tetori i vitit 2009, derisa Kosova nuk ka humbur asnjë ndeshje ndërkombëtare që nga tetori i vitit 2017. Para këtij takimi, në konferencë për media është shfaqur trajneri i “Tre Luanëve”, Gareth Southgate. Duke folur për ndeshjen, Southgate përmendi edhe disa lojtarë të Kosovës që i pëlqejnë, duke vecuar Celinën, Muriqin e Vojvodën.
“Cilët lojtarë të kanë impresionuar më shumë?
Dy anësorët që janë këtu janë të mirë, Celinën e njohim shumë mirë nga Swansea, e njohim qendër sulmuesin Muriqi, është shumë i mirë fizikisht, që të dy bëjnë shumë presion dhe luajnë me shumë energji, gjë që e ndihmojnë shumë ekipin”, u shpreh Southgate.
“E njoh gjithashtu mbrojtësin e djathtë, Vojvodën, është mbrojtës i fortë por që jep shumë edhe në sulm. I fortë fizikisht, harkimet i ka të mira, ka potencial për të hyrë në zonë dhe për të shënuar edhe gola, jo vetëm siç bëri në ndeshjen e së shtunës, por edhe më parë. Kështu që po, dimë gjithçka, kanë skuadër të fortë dhe jemi përgatitur për ndeshjen”, shtoi ai.
15 ndeshje pa humbje, miqësore e zyrtare – kjo ka bërë që Kosova të ketë respektin maksimal të trajnerit të “Tre Luanëve”.
I pyetur se a pret që ndeshja me Kosovën të jetë testi më i vështirë, Southgate u përgjigj: “Pa asnjë dyshim është testi më i vështirë. Taktika, shpirti dhe pasioni që ka treguar ky vend relativisht i ri është e mrekullueshme. Kosova me ka impresionuar. Ata do të jenë agresiv në sulm dhe kanë shpejtësi të madhe”.
“Jam i impresionuar me Kosovën për lojën që kanë bërë dhe rezultat që kanë marrë’’.