Para se të zhvillohej ndeshja mes Spanjës dhe Ishujve Faroe një i ri 30-vjeçar ka ndërruar jetë. Quhej Eleazar García Hernandez dhe kishte probleme psikike. Ai kishte shkuar në stadium për të ndjekur këtë ndeshje, sepse e dashuronte futbollin dhe ishte tifoz i kombëtares dhe i Barcelonës.
Viktima ka qenë i shoqëruar nga vëllai dhe babai i tij. Ata kanë hyrë së bashku në dyert e stadiumit dhe në një moment Eleazar është larguar nga të afërmit dhe ll pas kësaj i vëllai ka vënë në dijeni rojet e sigurisë.
Fill pas këtij momenti u mësua se një i ri ishte përleshur me forcat e sigurisë sepse kishte tentuar të hynte sërish në stadium, duke kaluar rrethimin. Atë e kanë arrestuar dhe e kanë çuar në rajonin pranë stadiumit, aty 30-vjeçari është shprehur se nuk ndihej mirë dhe e kanë transportuar për në spitalin që ndodhej 300 metra larg rajonit dhe në atë moment ka shkuar babai dhe i vëllai i tij.
“Na vjen keq, djali juaj ka ndërruar jetë”, me këtë fjali u përballën dy të afërmit e viktimës, që e dërguan menjëherë në morg dhe nuk i lanë as ta shikojnë. Më pas iu thanë se shkak i vdekjes ka qenë një arrest kardiak.
Për këtë, familjarët kanë ngritur një denoncim ndaj forcave të sigurisë për “neglizhencë”, ndërsa banorët e qytetit të Gijon kanë paralajmëruar një protestë ditën e premte, më 20 shtator.