Bota e sportit është goditur sot nga një tragjedi, duke qenë se qendra stërvitore e klubit brazilian Flamengo është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë mbetur të vdekur 10 persona. Pas më shumë se 2 orësh përpjekje, forcat zjarrfikëse kanë arritur të shuajnë flakët dhe kanë shpëtuar 3 persona nga të cilët njëri është në gjendje kritike për jetën.
Policia braziliane ka arritur të identifikojë viktimat e kësaj tragjedie që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Mes të vdekurve, janë 4 futbollistë nga akademia e Flamengos të cilët janë rreth moshës 14-17 vjeç. Njëri prej tyre, Artur Vinisius do të festonte nesër ditëlindjen e tij të 15, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Ndërkohë, 6 personat e tjerë që kanë ndërruar jetë janë pjesë e stafit të Flamengos dhe bëhet fjalë për 2 atletë të cilët ishin në provë dhe për 4 zyrtarë të klubit. Ndërkohë, klubi i Flamengos dhe skuadrat e tjera braziliane dhe jo vetëm, i janë bashkuar dhimbjes së familjarëve duke shprehur ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale.