Teksa numri i muslimanëve të Arakanit që kanë ikur në Bangladeshin fqinj si pasojë e dhunës së ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve fanatikë që nga 25 gushti ka arritur në 519 mijë, të paktën tre mijë civilë supozohet të kenë qenë viktima të masakrave, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë vazhdojnë përpjekjet për të ikur, raporton Anadolu Agency (AA). Më 25 gusht, në qytetin Maungdaw të Arakanit u ndërmorën sulme simultane ndaj disa stacioneve. Duke u arsyetuar me këto sulme, ushtria e Mianmarit, nisi masakër ndaj civilëve, duke djegur dhe shkatërruar vendbanimet e pakicës muslimane. Muslimanët e Arakanit kanë migruar në drejtim të Bangladeshit për të shpëtuar, duke u përpjekur të arrijnë në këtë përmes një udhëtimi të vështirë dhe të rrezikshëm nëpërmjet Lumit Naf ose detit. Zyra e Koordinimit të Ndihmave Humanitare e Kombeve të Bashkuara (OCHA) ka njoftuar se 519 mijë muslimanë të Arakanit janë strehuar në Bangladesh që nga 25 gushti. Ndërkaq, zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM), Joel Millman, më 6 tetor tha se afër 100 mijë muslimanë në qytetin Buthidaung të Arakanit janë duke pritur për të kaluar në qytetin Cox’s Bazar të Bangladeshit.
UNICEF dhe qeveria e Bangladeshit kanë theksuar se 60 për qind e muslimanëve që kanë kaluar në Bangladesh janë fëmijë. Nga ana tjetër, barkat me të cilat muslimanët e Arakanit përpiqen të ikin në Bangladesh përmes Lumit Naf shpeshherë përmbysen për shkak të kushteve të këqija atmosferike ose mbingarkimit. Që nga 25 gushti e deri më tani, mbi 100 muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën si pasojë e përmbysjeve të barkave.
DJEGIA E FSHATRAVE
Në vazhdën e zhvillimeve në Arakan, ushtria dhe budistët fanatikë kanë djegur fshatrat e muslimanëve. Përmes pamjeve satelitore të siguruara nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, është zbuluar se të paktën 200 fshatra të muslimanëve janë shkatërruar duke u djegur. Megjithatë, shqetësimet ngelin mbi mundësinë që numri i fshatrave të djegur të jetë më i madh sesa që deklarohet.
MIJËRA PERSONA KANË HUMBUR JETËN GJATË SULMEVE
Ministri i Jashtëm të Bangladeshit Hasan Mahmud Ali më 10 shtator njoftoi se të paktën tre mijë muslimanë të Arakanit janë vrarë si pasojë e dhunës së ushtrisë dhe budistëve fanatikë. Numri i saktë i viktimave nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.
“URIA ËSHTË MJETI I RI PËR TË KRYER GJENOCID”
Organizatat civile të muslimanëve të Arakanit dhe organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut theksojnë se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave humanitare në rajon. Të përballur me uri, siç thuhet, muslimanët e Arakanit përpiqen ta braktisin rajonin. Organizata për Komunitetin Rohingya Birmanez në Britani (BROUK), përmes një komunikate për shtyp që publikoi fundjavën e kaluar, paralajmëroi se nëse nuk ndërmerren masa ndaj ushtrisë dhe qeverisë, atëherë muslimanët e Arakanit që kanë ngelur në Mianmar mund të detyrohen të largohen nga trojet e tyre në javët në vijim. “Uria është mjeti i ri për të kryer gjenocid ndaj muslimanëve të Arakanit”, u tha nga organizata.
DHIMBJET E PËRJETUARA NUK PËRFUNDOJNË AS NË BANGLADESH
Drama e muslimanëve të Arakanit vazhdon edhe pasi ata të kenë arritur në Bangladesh pas ikjes nga persekutimi. Duke ecur deri në Bangladesh të uritur dhe duke pirë ujë të papastër që e gjejnë gjatë rrugës, ata arrijnë të sëmurë dhe të rraskapitur. Aktualisht, numri i muslimanëve të Arakanit që gjenden në kampet në Cox’s Bazar të Bangladeshit ka kaluar në mbi 900 mijë. Situata në kampe përkeqësohet çdo ditë e më shumë, për shkak të kushteve të pavolitshme dhe rritjes së numrit të refugjatëve.
Sipas të dhënave të publikuara nga zyrtarët shëndetësorë të Bangladeshit, 18.523 gra shtatëzënë dhe 42.541 fëmijë nga muslimanët e Arakanit që kanë ikur në këtë vend përballen me probleme serioze shëndetësore. Zyrtarët tërheqin vëmendjen se shëndeti i fëmijëve që qëndrojnë në kampe të improvizuara në Bangladesh është nën rrezik për shkak të kequshqyerjes.
MUSLIMANËT EMËRTOJNË GRUPET E TYRE ETNIKE SI “ROHINGYA”
Emri zyrtar i shtetit ku jetojnë muslimanët e Arakanit në Mianmar është “Rakhine”. Megjithëse me emrin e vjetër njihej si Arakan, emri i shtetit u ndryshua në “Rakhine” gjatë periudhës së gjeneralit U Ne Win, presidentit i cili më 1974 e shpalli Shtetin Socialist të Birmanisë. Muslimanët e Arakanit nuk parapëlqejnë përdorimin e shprehjes “Rakhine”, pasi ajo përkufizon edhe “budistët Magh” dhe kërkojnë përdorimin e emrit “Arakan”. Ndërkaq, muslimanët i emërtojnë grupet e tyre etnike si “Rohingya”. Emri “Rohingya” u bë i njohur pas konflikteve në Arakan mes muslimanëve dhe budistëve në vitin 2012.