Bën përshtypje fakti se të ngutshëm kanë qenë shumë pronarë që kanë ndërtuar në brezin bregdetar dhe sa “të kursyeshëm” kanë qenë, gjë që e dëshmojnë gërmadhat e tyre dhe është fat në këtë fatkeqësi që ka ndodhur sezoni i vjeshtës së vonë që nuk ka pasur mysafirë në to, se bilanci tragjik do të kishte qenë shumë më i madh
Nga Daut DAUTI
- PA SHAKA E TALLJE ME TËRMETIN!
Ka një reklamë e një kompanie të sigurimit, e cila lindi “e frymëzuar” nga tërmeti i shtatorit 2019 në Shqipëri. Ajo manekinia dhe shoumenja e njohur braziliane që udhëheq program bashkë me Ardit Gjebrenë, në atë reklamë paraqitet në rolin kryesor: në një moment “përjeton”stres nga dridhja e tokës, e pastaj “e kënaqur” zgjidhjen e sheh te kompania e sigurimeve në fjalë(të mos i bëjmë reklamë, s’po ia përmend emrin).Kur e kam parë reklamën për herë të parë, më ka tronditur ky frymëzim bizar i kompanisë në fjalë që një tërmet i cili ishte i fortë në kufi të katastrofalit, që sapo kishte ndodhur, ta përdorë për të reklamuar “ofertën” e vet afariste… Po ashtu bizar ka qenë një skeç humoristik, i cili luan me frikën e njerëzve nga tërmeti! S’ke si të mos shprehësh çudinë kur fatkeqësitë mund të përdoren për të bërë shaka ose për t’u tallur…Sepse, nëse në shtator tërmeti vetëm u shtiu frikën njerëzve dhe u shkaktoi dëme jo shumë të mëdha objekteve, ky i 26 nëntorit, mori shumë jetë njerëzish.
Them se nuk bëhet shaka apo tallje me këso gjërash, sepse as nuk i dihet kufiri fatkeqësisë, e as mund të vesh kufi në “kripën” e humorit për t’u tallur me frikën e njerëzve, që është një reagim normal në situata të tilla. Por ajo që më tepër se pashija me frymëzimet bizare për shou mediatik ose vetëpromovim, tërmeti në Shqipëri riktheu edhe një herë si mësim me një çmim tejet të lartë se nuk ka shaka me tërmetet në një aspekt krejt tjetër, atë të ndërtimeve, i cili nuk kishte se si të mos binte në sy.
Siç mund të vërehet, dëme materiale kanë pësuar shumë ndërtesa banimi e objekte të tjera, porse viktimat kanë qenë të përqendruara në fare pak ndërtesa të cilat janë rrafshuar me tokë. Në analizat post tërmet, pikërisht qëndrueshmëria e objekteve është vënë në spikamë si shkaktar kryesor i pasojave. Sepse, kur ke dy objekte përskaj njëri tjetrit dhe njëri shndërrohet në gërmadhë, me gjithë njerëz, e tjetri kalon vetëm me të çara, çështja e strukturës së tyre është ajo që të bën më së shumti përshtypje. Duke përjashtuar objekte të vjetruara të kohës së komunizmit, është nonsens që një ndërtues i cili ka investuar të ngrejë pallat shumëkatësh, të mos i ketë respektuar standardet e ndërtimit, aq më tepër duke pasur parasysh se një vend përskaj detit, është në rrezik të përhershëm nga dridhjet e tokës. Historia e tërmeteve vetëm brenda një shekulli duhet të ishte shkak që çdo ndërtim të ngrihet duke i kalkuluar këto rreziqe.
Jo vetëm ky tërmet në Shqipëri, por edhe përvojat e vendeve tjera flasin se sa është e rëndësishme që ndërtimet të jenë me standardet të larta të cilësisë së materialit ndërtimor, i cili të shpeshtën është vendimtar për pasojat. Bie fjala, me ndërtime jo cilësore, pasojat mund të jenë më të mëdha në një tërmet më të vogël, si bie fjala në Haiti në vitin 2010, kur me dridhje prej 7 shkallësh, humbën jetën 200 mijë njerëz, kurse në Kil, me tërmet më të fortë(8.8), të gjejnë vdekjen vetëm 525 veta. Bile tërmeti i Kilit ka ndodhur natën, kur njerëzit kanë qenë në gjumë! Por konstruktet e forta, i kanë shpëtuar mijëra jetë. Në një tërmet të fortë në Japoni, në vitin 2011, humbën jetën mbi 13 mijë njerëz, por jo për shkak të objekteve të goditura nga tërmeti më i fortë në historinë e Japonisë, 9.1 shkallë, por për shkak të stuhisë së cunamit në brezin bregdetar.
Në Japoni, dridhjet e tokës janë të shpeshta por objektet janë të ndërtuara që t’u bëjnë ballë. Edhe një tërmet tjetër me forcë prej 8.3 shkallësh që e kishte goditur Çilen, kishte pasur pak pasoja, vetëm 15 viktima, edhe një dëshmi më e madhe për nevojën që edhe këtu në Ballkan, ku është një nga ato rrasat sizmike nëntokësore, që çdo qeveri, e çdo pushtet lokal, të forcojë kontrollin e ndërtimeve. Në një nga tërmetet e para do vitesh në Turqi, autoritetet turke i goditën ndërtuesit e pandërgjegjshëm, objektet e të cilëve kishin rënë si kulla prej letre falë kursimeve në cilësinë e materialit ndërtimor. Tash në Turqi nuk mund të jepet në përdorim një objekt nëse nuk i plotëson ato standarde.
Këto ditë zie kur luftohej për të shpëtuar çdo njeri nën gërmadha, shumë specialistë të ndërtimeve dhe sizmologë i kushtuan vëmendje të madhe kritereve që duhet t’i plotësojë çdo objekt kundrejt karakteristikave të truallit ku ndërtohet dhe materialet me të cilat duhet të ndërtohet që të mund t’u përballojnë. Bën përshtypje fakti se të ngutshëm kanë qenë shumë pronarë që kanë ndërtuar në brezin bregdetar dhe sa “të kursyeshëm” kanë qenë, gjë që e dëshmojnë gërmadhat e tyre dhe është fat në këtë fatkeqësi që ka ndodhur sezoni i vjeshtës së vonë që nuk ka pasur mysafirë në to, se bilanci tragjik do të kishte qenë shumë më i madh.
Në Maqedoni arkitektët thonë se ndërtesat tona janë të sigurta. Por kur jemi te standardet, duhet veçuar mendimin e prof. Isak Idrizit, i cili tha se te ne, ende qenka në fuqi standardi gjerman i ndërtimeve që nga koha e ish-Jugosllavisë, por që ndërkohë vetë gjermanët e kanë ngritur në nivel më të lartë. Vetë prof.Isak Idrizi me të vëllain prof. Zekirija Idrizin, për të mbrojtur objektet kanë shpikur një sistem “amortizerësh”, i cili në dridhje më të mëdha, objektin e mban “në këmbë”. Këso shpikjesh ose edhe modele të tjera mbrojtëse,krahas cilësisë së ndërtimit, duhet përkrahur dhe të aplikohen për çdo objekt të ri, dhe në maksimum duhet të parandalohen improvizimet dhe “kursimet”, sidomos në objekte të mëdha të banimit ose të tjera me frekuentim të madh të njerëzve. Duhet thënë se ligji për legalizimin e objekteve pa leje, ku u përfshinë edhe shtesat e ballkoneve, cenojnë seriozisht sigurinë e banuesve në to, sepse arkitektët thonë se në lëkundjet serioze të tokës, ato shtesa mund të bien të parat. Një mundësi për zgjidhjen e problemit banesor me këso zgjerimesh janë bërë rrezik potencial i se ardhmes.
- HONORARË PËR BESIM DHE SIGURI, E INCIZIMET “NË TREG TË LIRË”!
Kanë qenë shokuese të dhënat që u publikuan këto ditë për “bonuset” për prokuroret speciale dhe honoraret e shumë bashkëpunëtorëve të PSP-së…Komentet e shumta negative tash janë edhe më të zëshme duke pasur parasysh se si përfundoi kryeprokurorja Janeva dhe gjithçka që kanë marrë, ato duken si ajo fjala popullore maqedonase “preku leb pogaça”. Nuk jam për atë që të hidhen akuza për azdisje të prokurorëve me bonuset që i kanë ndarë për vete dhe për bashkëpunëtorët e tyre. Ato janë shuma (dhjetëra mijë euroshe), që një qytetar i rëndomtë, i cili ka rrogë mesatare 300-400 euro, mund t’i ëndërrojë gjithë jetën, por, duke pasur parasysh se është fjala për një prokurori “speciale”, e cila pra ka pasur status “special” në sistemin tonë të drejtësisë, material special për trajtim, dinamikë speciale, orar pune të shtuar(pra, special), të dyshuar specialë(“peshq të mëdhenj” të pushtetit) dhe gjithçka tjetër speciale, ja të themi i kanë merituar edhe këto bonuse “speciale”.
Por, ka dy gjera plus – një, që duhet të theksohet. E para, është nëse ligji për prokurorinë speciale parasheh bonuse të tilla. Duket se për shkak të natyrës së punës, buxheti i PSP-së ka qenë një pus pa fund që ia ka mundësuar shteti(prandaj dhe kryeprokurorja sillej si shtet në shtet kur i kërkohej të japë raport financiar, duket tash pse), kështuqë nga ky këndvështrim, vështirë se mund t’i gjendet ndonjë shkelje. Çështja e dytë është aspekti etik i ndarjes së këtillë të mjeteve, ku çështja e kritereve është diskutabile (e drejtë diskrecioni), aq më tepër ngase duket një përfshirje e gjerë nepotizmi të njerëzve të pushtetit, gjë që nuk është pritur nga një organ i cili duhej t’i trajtojë shkeljet pikërisht të pushtetarëve. Nëse kthejmë filmin prapa, në “provimin” e etikës ra një organ tjetër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në përbërjen e kaluar, kur kishin ndarë mjete bukur të majme për vete, por krahasuar me këto shumë të PSP-së, tash ato duken qesharake.
Çështja e tretë (që thashë “dy+1), është se sa këto mjete bonusi janë arsyetuar. Një nga arsyet pse u janë dhënë këto bonuse gjithë këtyre prokurorëve dhe ekspertëve, është që incizimet e bisedave të përgjuara telefonike të mos dalin në publik, por që ato të ruhen për nevojat e hetimit të veprave të të dyshuarve. Në këtë kontekst, gjithkush mund të shtrojë pyetjen: si i kanë ruajtur këto incizime që i janë dhënë në dispozicion PSP-së, kur ato po publikohen nga persona që nuk kanë lidhje me të?
Nëse nuk kanë qenë në gjendje që t’i ruajnë, atëherë ashtu siç i kthyen mjetet anëtarët e KSHZ-së, duhet t’i kthejnë edhe ata që pa kurrëfarë kriteri dhe pa meritë i kanë ndarë për vete dhe bashkëpunëtorët e tyre profesionalë, përderisa nuk kanë mundur t’i ruajnë!
Lidhur me gjithë këtë, nëse i besojmë Katica Janevës e Fatime Fetait &Co, se prej tyre nuk kanë rrjedhë incizimet përplot biseda private e jo private dhe u vunë në shërbim të qërimit politik të hesapeve (në shënjestër më së shumti u vunë njerëz të BDI-së), atëherë do të duhej të kthehemi pak më mbrapa, dhe të pyesim si partitë politike, sidomos LSDM-ja që i ka poseduar këto incizime, kanë lejuar këso bonuesesh me para të taksapaguesve për sigurimin e materialit inkriminues të përgjimeve, ndërkaq nuk i kanë dhënë krejtësisht, ose i kanë ruajtur kopjet për “herdokurdo”… Pra, ose ka manipuluar PSP-ja edhe pse ka marrë bonuese për t’i ruajtur, ose PSP-në e ka manipuluar LSDM-ja, duke mos ia dhënë gjithë “materialin”…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)