Tragëti me mbetje të rrezikshme amianti nga Italia në Vlorë, 6 në pranga

0

Parandalohet dhe goditet një tentativë për futjen e një sasie të konsiderueshme mbetjesh të rrezikshme  e të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

Mbetjet vinin me traget nga Italia në drejtim të portit të Vlorës me destinacion përfundimtar Shqipërinë.

Në pranga kanë përfunduar 6 persona përgjegjës, ndërsa është sekuestruar në  në cilësinë e provës materiale trageti, një fugon mallrash dhe një sasi e madhe e dyshuar me mbetje amianti.

“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale, se me një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t’i depozituar në Shqipëri, u organizua puna dhe në bashkëpunim me Policinë vendore të Vlorës dhe atë Kufitare, u finalizua operacioni policor i koduar “Amiant””njofton policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në tragetin e linjës Brindisi – Vlorë dhe konkretisht në pjesën fundore të garazhit, është gjetur dhe sekuestruar me cilesinë e provës materiale një sasi e papërcaktuar mbetjesh të ndaluara e të dyshuara të rrezikshme, për të hyrë në Republikën e Shqipërisë.

Nga ana e Policisë u kryen veprimet procedurale ku në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua trageti si dhe sasia e mbetjeve, të cilat nuk u lejuan të dilnin nga ambienti i tragetit.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Transportimi i mbetjeve”.

Comments are closed.