Çdo respekt shën Valentinave ose netëve të shtrigave që mund të kenë ndonjë kuptim për kontinentet tjera, por ato nuk kanë kurrfarë domethënie për ne. Prandaj mendoj se më mirë të ripërtërijmë ndonjë rrit tonin të harruar që është pjesë e traditës sonë, se sa të imitojmë në formën më vulgare diçka të largët
Nga Daut DAUTI
KARNEVALET APO NETËT E SHTRIGAVE?
Të dielën e 10 marsit, pata një rast të rrallë që të jem një nga mysafirët në Karnevalet Ilire të fshatit Bozovcë. Një manifestim i bukur dhe tradicional, për të 11 herë. Manifestimet e mëparshme, publiciteti dhe paralajmërimet në rrjetet sociale dhe media bëri që përveç banorëve të këtij fshati, të vinin edhe nga fshatrat përreth dhe nga qyteti (i Tetovës), por dikush edhe nga më larg. Një manifestim i bukur me elemente të traditës. Kur numëron 11(vjet), shumëkush mund të thotë se është fjala për një traditë që nuk ka fort lidhje me doket tona, por një veprimtari kulturore që ka vulën e një njeriu entuziast, siç është z.Neshat Memedi, i cili është alfa dhe omega e karnavaleve. Por, nuk është ashtu, se në organizimet e mëparshme ka dhënë mjaft kontribut edhe prof.Fadil Sulejmani, filantropi Lazim Destani dhe të tjerë, siç janë vite me radhë edhe vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu, që kultivojnë melosin burimor të kësaj treve dhe që janë pjesë e pandashme e çdo viti…Por, 11 vjetët nuk mund të bëhen traditë, e as mund ta krijojnë, sepse traditë është ajo që me shekuj ka qenë pjesë e jetës, dokeve të një populli ose një mjedisi. Pikërisht të tilla duhen të trajtohen karnavalet ilire në Bozovcë, këtu është vlera e manifestimit. Këtu 11 vjetët janë kohë kur dikush e ka marrë përsipër që t’i futë në një shemë organizative, ndërkaq këto karnavale, siç mund të shihet edhe nga fotografitë që janë botuar nga dekada më herët, kanë qenë pjesë e festave të motmotit dhe kanë spontane.
Manifestimi në Bozovcë është një “marshim” etnuzastësh nëpër rrugët e rrugicat e katundit, që lidhen pakashumë me ditën e motmotit(Ditën e Verës), çfarë në mënyra të ngjashme bëhen gjithandej trojeve shqiptare(kallin zjarre, ziejnë patate, “koka me foj”, tambël oriz…), që kanë mbetur nga kohë më të lashta. Por, forma e karnavalit, praktikisht është e rrallë dhe e mban gjallë ky fshat dhe është për t’u përshëndetur dhe për ta mbetur pak më shumë, që të mos varen ato nga entuziazmi individual.
Këto ditë, me pamjet tërheqëse e interesante nga Bozovca, pati dhe disa mendime që karnavali të zbresë në qytet. Në Maqedoninë ka disa karnavale që janë të njohura, si ai i fshatit Vevçan të Strugës, ose në Strumicë dhe Prilep, që sivjet mbajtën brenda një vikendi. Një karneval i ri, bie fjala në Tetovë do ta pasuronte atmosferën karnevaleske, por me rrezik të madh që ta humbte kuptimin e tradicionales dhe të merrte imitime nga karnvealet tjera jo vetëm të vendit por dhe nga më larg, duke iu nënshtruar trendeve moderne, me çka do të humbnin ndoshta kuptimin e asaj çka kanë nënkuptuar karnavalet ose elementet karnevaleske dikur.
Ajo që më cyti të shkruaj për karnavalin e Bozovcës, përveç përshtypjeve të bukura nga ruajtja e traditës, por duhet të jemi dhe realistë, me përmasa shumë larg karnavaleve që mbahen në qytete, është një trend tjetër që ka nisur të depërtojë në mjediset tjera. Në disa media ka nisur të trajtohet, disa data të huaja të trajtohen si ngjarje mediale(disa televizione kanë qenë dhe sponsorë medialë!!!), sikur të ishin pjesë e traditës sonë. Mund të ketë më shumë këso ngjarjesh “trendi”. Unë personalisht nuk kam ndonjë problem me Shën Valentinin, ditën e të dashuruarve që kur vjen në kalendar, mbushen plot urime rrjetat sociale e mediat, por simbolika e kësaj dite duket se është mjaft problematike dhe kontekst jo aq “të paqtë”, nëse e shikojmë porosinë nga këndvështrimi i moralit. Edhe më bizar në pamje e përmbajtje mund të jetë Nata e Shtrigave, për të cilën besoj se asnjë shqiptar nuk di, përveçse të ketë mbrresa nga ata disa filma të famshëm horrori nga Holivudi? Kujt iu kujtua në Kosovë të bëjë “traditë” dhe manifestim tradicional, siç e kemi parë pikërisht natën e shtrigave!? Çfarë e lidh një shqiptar me Natën e Shtrigave që të bëhen spektakle të tilla? Ku e marrin frymëzimin iniciatorët për të na servirë…
Traditat dhe kulturat e popujve ndërthuren shpesh kur të kenë jetuar me shekuj bashkë. A janë me origjinë pagane ose fetare, ose të ndonjë karakteri tjetër(përralla, legjenda…), disa tradita të vjetra shpesh duken sikur të jenë marrë nga njëri tjetri. Edhe këto karnavale për të cilat po bëjmë fjalë kanë ngjashmëri por dhe ndryshime, por, shfaqen te popujt e këtij nënqielli. Çdo respekt shën Valentinave ose netëve të shtrigave që mund të kenë ndonjë kuptim për kontinentet tjera, por ato nuk kanë kurrfarë domethënie për ne. Prandaj mendoj se më mirë të ripërtërijmë ndonjë rrit tonin të harruar që është pjesë e traditës sonë, se sa të imitojmë në formën më vulgare diçka të largët.
Sepse, traditat e huaja mbeten të huaja, çfarëdo kuptimi që të kenë për popujt ku kanë lëshuar rrënjë. “Pema” e një nënqielli të largët nuk mund të shartohet në pemët tona, sepse mund të dalin fryte të egra…Më mirë t’i organizojmë këto karnavale të Bozovcës, sado që të duken të thjeshta me ato maska autentike lëkure, se sa të bëjmë parada me maska që të dukemi shtriga e shtriganë sipas filmave holivudianë!
TERRORIZMI NË KLISHE…
Pesëdhjetë viktima nga një dorë vrastare. Për të prishur idilin e një vendi vërtet të paqes dhe rendit, siç është Zelanda e Re. Nëse ka mundur të preket Zelanda, ku policinë e vend e kap mërzia ngase nuk kanë me se të merren, a mbetet më vend i sigurt në botë? Terroristi, i krishterë, viktimat myslimane. Akuza nga mbarë bota paqedashëse ndaj aktit barbar.
Përveç tragjedisë së madhe njerëzore ku u vranë në tempuj të perëndisë, në skenë riktheu gjitha stereotipet që dominojnë botën e ndarë në fe të ndryshme. Ato klishe që shprehen si aksioma, në të vërtetë kanë shumë pikëpyetje. Ja disa(që ranë në sy në formë komentesh në portale ose rrjete sociale)…
(Jo)Barazimi i akteve të terrorizmit. Duke shprehur keqardhje dhe ngushëllim për viktimat, shumë myslimanë akuzuan botën(e krishterë) që nuk e dënon aq sa meriton aktin terrorist të një krishteri ndaj myslimanëve. Sepse 50 viktima nuk janë pak që të gjesh pretekste relativizmi, siç disa mendojnë se u informua në media. Gjëja e parë që vërejtën kritikuesit është se bëhet përpjekje për t’i dhënë tjetër dimension(ekstremizëm e jo terrorizëm), ose madje dhe si akt të një të sëmuri psikik.
Nuk jam fort i sigurt se shtypi botëror u përpoq ta relativizojë këtë akt makabër. Shokimi ishte i madh nga vetë fakti se ndodhi në një vend ku askush nuk ka mundur të presë, kurse ndonjë deklaratë sporadike siç ishte e një parlamentari i cili e lidhi çështjen si shkak-pasojë e ekspansionit mysliman, nuk mund të jetë argument, sepse i njëjti hasi në akuza të ashpra. Një tjetër klishe është se akte terroriste bëjnë edhe të krishterët, por bota flet dhe akuzon vetëm kur bëjnë myslimanët. Ose, te myslimanët i stërmadhojnë rastet, ndërsa te të krishterët minimizohen.
Duhet të merren me rezervë. Sepse nuk mbahet mend ndonjë rast me vrasje masovike, të jetë heshtur, kushdo që të ketë qenë kryesi, kushdo që të ketë qenë viktima. Është e vërtetë se shkruhet për aktet terroriste që i bëjnë myslimanët, por nuk është e vërtetë se heshtjen kur akte të ngjashme bëjnë të tjerët. Dhe aktet terroriste nuk kanë përherë ngjyrë fetare e as viktimat dhe kryesit janë të ndarë në baza fetare. Akti që bëri një sektë japoneze ishte terrorist dhe viktimat ishin të të njëjtit popull apo fe dhe nuk ishin myslimanë. Aktet që i ka bërë ETA me viktima masovike civile, e gjithë bota i ka akuzuar. Pokështu aktet që me vite i bënte IRA…Pra, nuk bëhet fjalë për atentate ose vrasje personash që personifikojnë shtetin (“okupator”, diktatorial….), por civilë. A harrojmë sa mbulesë mediale ka pasur ndonjë akt terrorist nëpër shkolla, fakultete ose rrugë në Amerikë ku akti nuk ka pasur ndonjë motiv fetar ose etnik? Ndaj dhe kur dalim pastaj në terren të shteteve myslimane, shpesh nuk kemi viktima njerëzore të fesë tjetër. PKK-ja kurde me vite ka vrarë civilë nëpër rrugët, sheshet, lagjet e qyteteve turke, me bomba të kurdisura, me akte vetëvrasëse ku nuk ka zgjedhur pjesëtarë të ndonjë kombi ose feje të caktuar, por rrethanat diktojnë që viktimat dhe kurdisësit e bombave të kenë qenë pikërisht të të njëjtës fer!. Motivet fetare këtu janë me pikëpyetje. Por, akti si akt është terrorist. Sa e kanë devalvuar kauzën në emër të së cilës janë bërë këto akte, s’ka nevojë të flitet! Sepse aktet terroriste devalvojnë çfarëdo kauze që në thelb mund të jetë e drejtë(lufta për të drejta, ose lufta kundër okupatorëve…). Shumëkush harron se në aktet që ne i quajmë terroriste në disa shtete të okupuara myslimane(Irak, Liban, Avganistan…caqet e sulmeve të shpeshtën janë civilë dhe janë të të njëjtës fe. Sa akte terroriste janë bërë myslimanë ndaj myslimanëve, ose si në shembujt e mësipërm, të krishterë ndaj të krishterëve…
Të mos harrojmë se disa akte bëhen pikërisht për të bërë publicitet medial dhe s’duhet të na çuditin që arrijnë si lajme të para në media. Dhe a duhet që të injorohen nga publiku kur në pyetje janë viktima njerëzore?
Këto janë gjëra që as mund të fshihen, e as duhet të heshten vetëm pse si rast më i freskët ka ndodhur që të jetë një katil i krishterë të ketë vrarë dhjetëra myslimanë, që të harrohen rastet tjera ku kryerësit kanë qenë myslimanë, ose me këtë të gjejë ndonjë arsyetim.
Kushdo që t’i kryejë aktet, sidomos nëse e bën për motive fetare, janë për çdo akuzë, sepse para së gjithash, ato e komprometojnë fenë dhe komunitetin e tyre fetar, ndonëse edhe kjo mund të trajtohet si klishe, sepse asnjë vrasës, asnjë terrorist, asnjë ekstremist që luan me kodet fetare, nuk mund të përfaqësojë një fe…Prandaj dhe imamët tanë, duhet të mbajnë ligjërata të zjarrta fetare për të gjitha aktet terroriste që ndodhin midis vetë myslimanëve.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)