Urim HASIPI
Tetovë, 12 qershor – Shoqata për kulturë “Tradita”, më 10 qershor, në Tetovë e organizoi edicionin IV me radhë të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Përmes organizimit të këtij manifestimi kulturor-shkencor, shoqata “Tradita” njëherësh e shënoi 139 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, si dhe e përkujtoi veprimtarinë e rilindësve, të patriotëve dhe intelektualëve të mirëfilltë, që e zgjuan kombin të punojë për të ardhmen e tij, ta shkruaj gjuhën shqipe, të hapë shkolla dhe të bëhet gati për ta realizuar ëndrrën shekullore të popullit shqiptar, shkruan gazeta KOHA. Edicionin e IV të Manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” e shpalli të hapur kryetari i shoqatës, Selam Sulejmani, i cili para pjesëmarrësve theksoi se organizimi i këtij manifestimi për katër vjet me radhë e dëshmon qëllimin për të cilin edhe u themelua shoqata, në vitin 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. “Manifestimi kulturor ‘Lidhja na bashkon’, është ngjarja kryesore që ne e organizojmë në çdo 10 qershor, na bashkon të gjithëve për ta shënuar përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila e dha kushtrimin për bashkimin e shqiptarëve rreth idesë së kombit dhe konsolidimin e Shqipërisë. Përmes këtij manifestimi kulturor e kujtojmë sot edhe veprimtarinë e rilindësve tanë, të patriotëve të vërtetë dhe intelektualëve të mirëfilltë, që e zgjuan kombin, të punojë për të ardhmen e tij, ta shkruaj gjuhën shqipe, të hapë shkolla dhe të bëhet gati për ta realizuar ëndrrën shekullore, për Shqipërinë e lirë. Të tillë ishin rilindësit tanë, dhe për këto personalitete emblematike, shkrimtari ynë Ismail Kadare ka theksuar se: “Ata ishin njerëz të mëdhenj dhe kishin gjoks të gjerë për të luftuar njëkohësisht në shumë fronte. Ekipi i tyre ishte i fortë dhe i pajisur me gjithçka, me pushkë e me penë, me poema e gramatika, me fjalorë, rapsodi popullore dhe harta politike. Sami dhe Abdyl Frashëri, De Rada, Vaso Pasha e Vretoja, Mitkoja e Kristoforidhi, Çajupi e Asdreni, e shumë e shumë të tjerë, me Naimin në krye, nuk zmbrapseshin përpara asgjëje kur ishte fjala për interesat e Atdheut”. Pas Lidhjes së Prizrenit dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, historia e shqiptare hyri në një fazë të re. Sigurisht, për këto dhe zhvillimet e mëvonshme historike e kanë thënë fjalën e tyre studiuesit e historiografisë sonë kombëtare”, tha Selam Sulejmani. Edicionin IV të këtij manifestimi e përshëndeti edhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehabi. Ai, këtë aktivitet e konsideroi të rëndësishëm dhe sipas tij na bën krenarë të gjithëve. Në shënimin e 139 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Tetovë, mori pjesë edhe kryetari i Shoqatës së të Burgosurve dhe të Dëmtuarave Politikë Shqiptarë në Maqedoni, Shpëtim Pollozhani, si dhe veprimtarë të njohur çështjes kombëtare nga Republika e Kosovës, në mesin e tyre Avni Dehari dhe Hydajet Hyseini. Ata e vlerësuan lartë shënimin e kësaj ngjarje historike që përbën kthesën vendimtare të vetëdijes dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare. “I duhen kombit tonë stimulansë të tillë, për ta amplifikuar edhe energjinë, për ta kthjelluar edhe shikimin përpara sipas asaj përvojës së figurës mitologjike të Janusit: një sy para, një sy pas. Në kushtet tona madje ndoshta, një sy pas e katër sy para. Rruga jonë, siç ka qenë edhe në të kaluarën, vazhdon të jetë e ndërlikuar, e përballur me sfida të shumta, madje edhe me gracka të ndryshme e tjera. Po tani, duke sintetizuar përvojën e të parëve tanë, në të cilën Lidhja Shqiptare e Prizrenit përbën vërtetë kthesën vendimtare, themeltare të vetëdijes dhe të lëvizjes kombëtare shqiptare, që vazhdon të rrezatojë dhe të frymëzojë brezat, kemi grumbulluar përvojën e mjaftueshme që në këtë rrugë të ecim, pa u ngutur dhe pa u ndalur”, deklaroi Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës. Në programin e edicionit IV të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, Shoqata për kulturë “Tradita” për herë të tretë e ndau Çmimin kombëtar “Ali Vishko”. Vendimin për laureatin e këtij viti e bëri publik kryetari i shoqatës, Selam Sulejmani, i cili duke iu referuar Statutit të Shoqatës, tha se ky çmim u ndahet personaliteteve shqiptare nga vendi dhe rajoni në çdo përvjetor të Lidhjes së Prizrenit. “Pas shpalljes së konkursit dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, Komisioni përkatës vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2017, t’i ndahet Prof. Dr. Tahir Zajazit, me motivacionin për veprimtari jetësore dhe arritje të veçanta në fushën e shkencës, arsimit dhe kulturës shqiptare”, tha Selam Sulejmani me rastin e dorëzimit të çmimit laureatit të këtij viti. Në ndërkohë, u realizua edhe Konferenca shkencore me temë: “Të persekutuarit dhe të burgosurit politikë shqiptarë në Republikën e Maqedonisë”, ku shumë studiues dhe historianë nga të gjitha trevat shqiptare paraqitën para të pranishmëve punimet e tyre. Në fund të manifestimit, “Tradita” u ndau mirënjohje veprimtarëve të kombit, si: simbolit të rezistencës shqiptare, Rafi Halilit, Hydajet Hysenit – Kryetar i Shoqatës së të burgosurve politikë të Kosovës, Memetriza Murtezanit – Gega, (pas ndarjes nga jeta), Shoqatës së të burgosurve dhe të dëmtuarve politikë shqiptarë në Maqedoni, Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, Azem Moranës, (pas ndarjes nga jeta), Sadudin Gjurës, (pas ndarjes nga jeta), Zaim Beqirit, (pas ndarjes nga jeta), Faik Mustafës, (pas ndarjes nga jeta), Shaban Xheladinit, (pas ndarjes nga jeta) dhe veprimtarit të njohur Rahim Nezirit. Programin e manifestimit kulturor të këtij viti e madhështoi Kori i Shoqatës “Miqtë e muzikës”, “Rozafa Expression” nga qyteti i Shkodrës, Republika e Shqipërisë, i cili nën udhëheqjen e mjeshtrit artistik profesor Zef Çoba, solli në skenë pika të shkëlqyera artistike, si: “Atdheu ne na fton”, (kënga e luftëtarëve të Skënderbeut, nga muzika e filmit “Skenderbeu’’) nga Çesk Zadeja, “Të falemi o dhe”, nga Rauf Dhomi dhe Gjergj Fishta – “Hymni i Flamurit”, nga Lec Kurti. (koha.mk)